
Protestuesit në Serbi nuk i ndal as kërcënimi i Vuçiqit
Mijëra protestues antiqeveritarë kanë marshuar sërish të hënën në Serbi, përderisa forcat speciale të policisë, të pajisura me shkopinj gome, i ndoqën ata në qendër të Beogradit, duke e shtyrë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të përsëriste zotimin për goditje të madhe ndaj protestuesve.
Protestat në kryeqytetin serb filluan në mënyrë paqësore, porse u tensionuan kur një grup të rinjsh, të dyshuar si huliganë futbolli, u shkëputën nga turma dhe hodhën gurë në drejtim të zyrave të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), duke thyer dritaret e ndërtesës.
Autoritetet policore kanë ndërhyrë me automjete të blinduara për ta shpërndarë turmën, duke shkaktuar panik dhe ikje masive, ka shkruar AP-ja.
Serbia është përfshirë nga protestat masive që prej nëntorit të vitit të kaluar, kur si rezultat i shembjes së çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, mbetën të vdekur 16 persona.
Protestat e udhëhequra nga studentët ishin kryesisht paqësore për muaj me radhë, mirëpo u përshkallëzuan javën e kaluar.
Situata e krijuar e ka rritur presionin ndaj Vuçiqit, i cili i ka refuzuar kërkesat e protestuesve për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Të dielën, presidenti serb pati njoftuar masa të ashpra karshi protestuesve pas disa ditësh trazirash në rrugët e qyteteve serbe. E gjatë së hënës, ai i ka përsëritur pretendimet se protestat shumëmujore janë të orkestruara nga Perëndimi dhe synojnë që ta shkatërrojnë Serbinë.
“Vendi ynë është në rrezik të madh; ata kanë vënë në rrezik të gjitha vlerat tona, jetën normale dhe çdo individ”, është shprehur Vuçiqi.