Dodiku s’është më president i Republikës Sërpska, vendos Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës

Dodiku s’është më president i Republikës Sërpska, vendos Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës

Bota August 18, 2025 - 15:24

Presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i ka përfunduar zyrtarisht mandati, pasi Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës e hodhi poshtë ankesën e avokatit të tij ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnjë dhe Hercegovinës, me të cilin atij i hiqet mandati për këtë funksion.

Vendimi i Gjykatës është përfundimtar, sipas njoftimit të këtij institucioni gjyqësor më 18 gusht.

Sipas Ligjit Zgjedhor të Bosnjë dhe Hercegovinës, KQZ-ja duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh.

Mandati i presidentit të zgjedhur në këto zgjedhje do të zgjasë deri në zgjedhjet e përgjithshme, të planifikuara për në tetor të vitit të ardhshëm.

Më herët, KQZ-ja e Bosnjë dhe Hercegovinës mori vendim për t’i hequr mandatin Dodikut, pasi Gjykata e këtij vendi, në fillim të gushtit, tha se ai është dënuar me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike në Bosnjë dhe Hercegovinë, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

Në ankesën, në të cilën ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, ekipi juridik i Dodikut e kundërshton zbatimin retroaktiv të përfundimit të mandatit, pasi si datë e përfundimit është përcaktuar 12 qershori, ndërsa vendimi për përfundimin e mandatit është marrë më 6 gusht.

Po ashtu kundërshtohet edhe pjesëmarrja në votim e anëtares së KQZ-së, Vanja Bjellica Prutina, për përfundimin e mandatit të Dodikut, meqë ajo është në një proces gjyqësor civil me të.

Në bazë të padisë së saj për shpifje, pranë Gjykatës Themelore në Sokollac po zhvillohet një procedurë civile.

Në tetor të vitit 2024, gjykatësi ka marrë një vendim të shkallës së parë, me të cilin e ka hedhur poshtë padinë, por Vanja Bjellica Prutina ka paraqitur ankesë kundër këtij vendimi.

Dodiku e ka hedhur poshtë edhe aktgjykimin përfundimtar të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, edhe vendimin e KQZ-së, duke paralajmëruar se në fund të shtatorit do të mbahet një referendum në Republikën Sërpska.

Ekipi i avokatëve të Dodikut ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës edhe një masë të përkohshme për ndalimin e ekzekutimit të aktgjykimit deri në vendimin përfundimtar të kësaj gjykate, edhe pse Dodiku, publikisht, nuk e njeh këtë gjykatë.

Nga ekipi juridik i Dodikut kanë thënë më herët se paraqitja në Gjykatën Kushtetuese është parakusht që më pas t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Sipas aktgjykimit përfundimtar të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Dodiku është dënuar sepse ka nënshkruar publikimin e ligjeve, të cilat më herët janë shfuqizuar nga përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, e që kanë paraparë moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republikës Sërpska.

Ekipi i avokatëve të Dodikut ka kërkuar nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës që dënimi me burg prej një viti të zëvendësohej me gjobë - një mundësi që e parasheh Kodi Penal i këtij vendi - dhe gjykata e ka pranuar atë kërkesë.

Kështu, Dodiku do të paguajë rreth 36.500 marka (më shumë se 18.000 euro) brenda një viti, përkatësisht 100 marka (50 euro) për çdo ditë burgu. /REL