Ankaraja do të furnizojë Damaskun me armë dhe pajisje logjistike

Ankaraja do të furnizojë Damaskun me armë dhe pajisje logjistike

Bota August 14, 2025 - 15:35

Turqia do të ndihmojë Sirinë me armatime, pajisje logjistike dhe trajnime ushtarake, sipas një burimi nga Ministria e Mbrojtjes së Turqisë, në kuadër të një marrëveshjeje të re bashkëpunimi ushtarak të firmosur mes dy vendeve.

Nëpërmjet një memorandumi mirëkuptimi të arritur pas negociatave disamujore, Ankaraja dhe Damasku kanë hedhur hapin e parë drejt një marrëveshjeje më të gjerë në fushën ushtarake, që përfshin trajnimin e ushtrisë siriane, ndihmën për pajisje dhe ndarjen e informacionit dhe përvojës.

“Memorandumi synon të koordinojë dhe planifikojë trajnime ushtarake, të ofrojë këshillim, ndarje informacioni dhe përvojash, si dhe sigurimin e pajisjeve ushtarake, sistemeve të armatimit, materialeve logjistike dhe shërbimeve të lidhura”, tha burimi i Ministrisë së Mbrojtjes të enjten për mediat.

Turqia, anëtare e NATO-s, është shfaqur si një prej aleatëve kryesorë të Sirisë që pas rrëzimit të Presidentit Bashar al-Assad vitin e kaluar. Ankaraja ka deklaruar synimin për të ndihmuar në rindërtimin e forcave të armatosura siriane dhe të institucioneve shtetërore, si dhe për të mbështetur integritetin territorial të vendit.

Ndërkohë, Turqia është shprehur gjithashtu e pakënaqur me mungesën e zbatimit të një marrëveshjeje të arritur në mars mes Damaskut dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF), të mbështetura nga SHBA. Sipas Ankarasë, SDF të cilën ajo e konsideron organizatë terroriste nuk ka përmbushur asnjë nga detyrimet e marrëveshjes dhe veprimet e saj po rrezikojnë unitetin politik të Sirisë.

Firmosja e memorandumit vjen pas takimeve të shumta mes ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të të dy vendeve, si dhe shefave të shërbimeve inteligjente. /abcnews