Vendim i ri për Dodikun, burgimi zëvendësohet me gjobë

Vendim i ri për Dodikun, burgimi zëvendësohet me gjobë

Bota August 12, 2025 - 15:42

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e ka miratuar kërkesën që dënimi me burgim ndaj Millorad Dodikut të ndryshohet në dënim me gjobë, në përputhje me ligjet që e parashohin këtë gjë.

Dodiku ishte kryetar i Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, deri kur iu hoq mandati nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë.

Gjykata ka bërë të ditur të martën se “në përputhje me dispozitat ligjore, është marrë vendimi që, pas deklarimit të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, të miratohet propozimi i mbrojtjes dhe dënimi me burg i shqiptuar ndaj të dënuarit Milorad Dodik të zëvendësohet me gjobë”.

Kodi Penal i Bosnjë e Hercegovinës parasheh mundësinë e zëvendësimit të dënimit me burgim që shkon deri në një vit, ku një ditë burg llogaritet 100 marka (50 euro). Për shlyerje të një viti burgim, Dodiku do t'i paguajë rreth 36.500 marka, që janë pak më shumë se 18.000 euro.

Dodiku është dënuar me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë për mbajtje të ndonjë pozite publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë. /REL