Raportohet për intensifikim të sulmeve izraelite në Gazë
Foto: AFP

Raportohet për intensifikim të sulmeve izraelite në Gazë

Bota August 12, 2025 - 14:10

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se sulmet ajrore izraelite në Qytetin e Gazës janë intensifikuar në ditët e fundit, pasi kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu, miratoi planet për zgjerimin e ofensivës ushtarake në këtë zonë.

Qeveria izraelite nuk ka treguar saktësisht se kur forcat e saj do të hyjnë në këtë zonë, por sipas zëdhënësit të agjencisë për mbrojtje civile në Gazë, Mahmud Bassal, sulmet ajrore mbi Qytetin e Gazës janë shtuar gjatë tri ditëve të fundit.

Bassal tha se lagjet e banuara të Zeitounit dhe Sabrës janë goditur “me sulme të rënda ajrore që kanë shënjestruar shtëpi civile, ndoshta edhe ndërtesa shumëkatëshe”.

“Për të tretën ditë me radhë, Izraeli po i intensifikon bombardimet e tij”, tha ai.

“Izraeli po përdor të gjitha llojet e armëve në atë zonë – bomba, dronë, si dhe municione shumë shpërthyese që shkaktojnë shkatërrime masive të shtëpive civile”, shtoi ai.

Bassal tha se të paktën 24 persona janë vrarë të martën në mbarë Rripin e Gazës, përfshirë edhe në Qytetin e Gazës.

“Bombardimet kanë qenë jashtëzakonisht të rënda gjatë dy ditëve të fundit. Me çdo sulm, toka dridhet. Ka viktima nën rrënoja të cilëve askush nuk mund t’iu afrohet sepse granatimet nuk po ndalen”, tha Majed al-Hosary, një banor i Zeitounit.

Izraeli po përballet me kritika në rritje për luftën 22-mujore kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – teksa ekspertët që mbështeten nga Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për uri të thelluar në Gazë.

Netanyahu po përballet me presion gjithnjë e më të madh për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura, si dhe për planet e tij për zgjerimin e luftës, të cilën ai është zotuar ta vazhdojë me ose pa mbështetjen e aleatëve.

Lufta nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Ofensiva izraelite ka vrarë më shumë se 61.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi – shifra që OKB-ja i konsideron të besueshme.

Ofensiva izraelite ka vrarë të paktën 61,499 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, shifra të cilat Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme. /Rel