Meksika kundër planit të Trumpit-Presidentja: Ushtria e SHBA-së nuk hyn te ne

Meksika kundër planit të Trumpit-Presidentja: Ushtria e SHBA-së nuk hyn te ne

Bota August 09, 2025 - 15:55

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi këtë fundjavë se ushtria Amerikane nuk do të hyjë në territorin e Shtetit të Saj, pas raportimeve se Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar Pentagonin të ndërmarrë veprime kundër karteleve të drogës në Amerikën Latine.

“Shtetet e Bashkuara nuk do të vijnë në Meksikë me ushtri. Ne bashkëpunojmë, por nuk do të ketë asnjë pushtim. Kjo është absolutisht e përjashtuar,” tha Sheinbaum në një deklaratë këtë të shtunë.

Gazeta The New York Times raportoi se Trump ka nënshkruar në mënyrë të fshehtë një urdhër për përdorimin e forcës ushtarake jashtë territorit amerikan. Shtëpia e Bardhë, pa konfirmuar drejtpërdrejt dokumentin, tha për BBC-në se prioriteti kryesor i presidentit mbetet “mbrojtja e atdheut”.

Ky zhvillim vjen pas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar më herët këtë vit nga Trump, i cili e shpalli tetë kartele të drogës si organizata terroriste – gjashtë prej të cilave janë meksikane. Sheinbaum theksoi se Meksika është informuar për urdhrin, por ai “nuk përfshin pjesëmarrjen e personelit ushtarak” dhe “nuk është pjesë e asnjë marrëveshjeje”. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të enjten se ky përcaktim ligjor do të ndihmojë në luftën kundër karteleve, përfshirë edhe përmes agjencive të inteligjencës dhe Departamentit të Mbrojtjes. Raporti i The New York Times thekson se urdhri i nënshkruar nga Trump “hap mundësinë për operacione të drejtpërdrejta ushtarake” kundër karteleve, si në det ashtu edhe në tokë të huaj.

Në muajt e fundit, Meksika dhe SHBA-ja kanë bashkëpunuar ngushtë për të frenuar flukset e paligjshme të emigrantëve dhe drogës në kufirin e përbashkët. Sipas të dhënave të Doganës dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-së, qershori shënoi nivelin më të ulët të kalimeve të paligjshme në kufi, ndërsa sekuestrimet e fentanilit kanë rënë me mbi gjysmën. Ambasadori amerikan në Meksikë, Ronald Johnson, e ka vlerësuar këtë bashkëpunim duke thënë se “kartelët po falimentojnë dhe vendet tona janë më të sigurta”. /abcnews