
Italia jep miratimin përfundimtar për projektin historik të urës në Siçili
Qeveria italiane ka dhënë miratimin përfundimtar për ndërtimin e urës më të gjatë me një hapësirë të vetme në botë, e cila do të lidhë Sicilinë me Italinë kontinentale përmes ngushticës së Mesinës. Ky projekt i shumëdebatuar është shtyrë për dekada për shkak të shqetësimeve mjedisore, financiare dhe të tjera, por tashmë ka marrë dritën jeshile nga Komiteti Ndërministror për Planifikim Ekonomik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm (CIPESS), gjatë një takimi në Romë.
Ura pritet të jetë rreth 3.7 kilometra e gjatë dhe është përfolur për ndërtim që nga fundi i viteve 1960, si një mjet për të nxitur zhvillimin ekonomik të jugut të varfër të Italisë. Qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni e ka bërë projektin një ndër prioritetet kryesore, duke planifikuar një fond prej 13.5 miliardë eurosh përgjatë dhjetë viteve të ardhshme për ndërtimin e urës dhe infrastrukturës përreth saj.
Sipas kompanisë “Messina Strait”, e cila mbikëqyr projektin, ura pritet të përfundojë në vitin 2032.
Megjithatë, projekti ka hasur në kundërshtime të forta nga aktivistë dhe qytetarë që shprehin shqetësime për ndërtimin në një zonë të rrezikuar nga tërmetet, kosto të larta që mund të tejkalojnë parashikimet, ndikime të mundshme mjedisore dhe përfshirje të mundshme të mafies në tenderat e ndërtimit. Këtë javë, organizata mjedisore kanë paraqitur një ankesë pranë Bashkimit Evropian, duke ngritur alarmin për rreziqe serioze për mjedisin lokal.
Nga ana tjetër, projekti ka mbështetje të gjerë nga ata që besojnë se lidhja hekurudhore dhe rrugore do të sjellë përfitime të mëdha për Sicilinë dhe rajonet jugore të Italisë, duke zëvendësuar kalimin aktual me traget dhe duke përmirësuar ndjeshëm lëvizshmërinë.
Konkursi ndërkombëtar për ndërtimin e urës është fituar nga konsorciumi “Eurolink”, i udhëhequr nga kompania më e madhe ndërtimore në Itali, “Webuild”. Pjesë e konsorciumit janë gjithashtu grupi spanjoll “Sacyr” dhe ai japonez “IHI”.
Sipas “Messina Strait Company”, miratimi i dhënë do të mundësojë nisjen e punimeve paraprake, përfshirë studimet arkeologjike dhe gjeologjike, si dhe do të autorizojë shpronësimet e nevojshme.
Ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka deklaruar se vendimi i CIPESS duhet të ratifikohet nga Gjykata Kombëtare e Auditit për të hyrë në fuqi, një proces që pritet të zgjasë disa javë.
“Webuild”, e cila aktualisht është e angazhuar në projekte madhore në mbarë botën, përfshirë projektin gjigant NEOM në Arabinë Saudite, ka vlerësuar se ndërtimi i urës mund të krijojë mbi 100,000 vende pune. Ndërkohë, “Sacyr” ka qenë pjesë e zgjerimit të Kanalit të Panamasë, ndërsa “IHI” ka kontribuar në ndërtimin e urave të mëdha pezulluese si ura Akashi në Japoni dhe ura Osman Gazi në Turqi. /abcnews