
Shkon në 76 numri i të vdekurve pas fundosjes së anijes me migrantë në Jemen
Të paktën 76 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë të zhdukur, pasi një anije që po bartte kryesisht migrantë nga Etiopia u fundos në Jemen, thanë zyrtarët më 4 gusht.
Zyrtarë të sigurisë në Jemen thanë se 76 trupa janë nxjerrë nga uji dhe 32 të tjerë janë shpëtuar nga anija që u fundos në Gjirin e Adenit.
Agjencia për migrim e Kombeve të Bashkuara tha se 157 persona ishin në bordin e anijes së fundosur.
Shefi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim në Jemen, Abdusattor Esoev, tha për AFP-në se "fati i të zhdukurve nuk dihet ende”.
Pavarësisht luftës që ka mbërthyer Jemenin që nga viti 2014, ky shtet i varfër vazhdon të mbetet pikë kryesore për migrimin e parregullt, veçmas nga Etiopia, shtet po ashtu i përfshirë në konflikt etnik.
Çdo vit, mijëra person përshkojnë të ashtuquajturën “Rrugë Lindore” nga Xhibuti për në Jemen, duke e kaluar Detin e Kuq, me shpresë që do të arrijnë në shtetet e pasura të Gjirit.
Anija që u fundos afër brigjeve të Abajan të Jemenit po bartte migrantë etiopianë, sipas autoriteteve në këtë provincë.
Autoritetet në Abajan thanë se forcat e sigurisë të dielën kryen operacione për nxjerrjen “e një numri të konsiderueshëm” të trupave të pajetë.
Muajin e kaluar, të paktën tetë persona vdiqën pasi kontrabanduesit detyruan migrantët që të zbarkonin nga një anije në Detin e Kuq, sipas agjencisë për migrim të OKB-së.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thotë se dhjetëra mijëra migrantë kanë mbetur të bllokuar në Jemen dhe po vuajnë shkeljet e të drejtave të tyre dhe shfrytëzimit gjatë udhëtimeve të tyre.
Vitin e kaluar, kjo organizatë regjistroi të paktën 558 vdekje në rrugën e Detit të Kuq, prej të cilave 462 kanë ndodhur si pasojë e fundosjes së anijeve. /Rel