Vdesin nga uria edhe tre palestinezë në Gaza

Vdesin nga uria edhe tre palestinezë në Gaza

Bota August 02, 2025 - 07:52

Trupi i dobësuar i Gazës vazhdon të japë shpirt nga uria. Edhe tre palestinezë kanë vdekur në 24 orët e fundit si pasojë e kequshqyerjes dhe mungesës totale të ndihmës, nën bllokadën izraelite.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila tha se vdekjet janë shkaktuar nga uria, duke çuar në 162 numrin e përgjithshëm të jetëve të humbura për këtë arsye që nga tetori i vitit 2023 – përfshirë 92 fëmijë.

Javën e kaluar, Programi Botëror për Ushqim i OKB-së paralajmëroi se një e treta e popullsisë së Gazës ka mbetur pa ushqim me ditë të tëra. Të paktën 100 mijë gra dhe fëmijë po përballen me kequshqyerje ekstreme.

Izraeli ka mbyllur të gjitha pikat kufitare që nga 2 marsi, duke pamundësuar qasjen e ndihmave, ndërsa zyrtarët palestinezë theksojnë se janë të domosdoshëm mbi 600 kamionë ndihme në ditë për të mbuluar nevojat e 2.4 milionë banorëve të Gazës.