
Rusia: Bashkëpunimi me NASA-n në hapësirë vazhdon deri më 2028
Kreu i agjencisë hapësinore ruse, Roscosmos, tha se është pajtuar me homologun e tij në NASA, gjatë bisedimeve në Shtetet e Bashkuara, për të zgjatur operacionin e e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) deri në vitin 2028.
Hapësira mbetet një nga fushat e fundit të bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Rusisë, në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit janë pothuajse krejtësisht të prishura për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Roscosmos-i njoftoi më herët gjatë kësaj javee se drejtori i agjencisë, Dmitry Bakanov, kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara për bisedime me ushtruesin e detyrës së administratorit të NASA-s, Sean Duffy.Ky ishte takimi i parë mes krerëve të agjencive hapësinore të dy shteteve që nga viti 2018.
“Dialogu shkoi mirë. U pajtuam që do ta mbajmë në funksion ISS-në deri në vitin 2028... dhe do të punojmë për çështjen e nxjerrjes së saj nga orbita deri në vitin 2030”, citohet të ketë thënë Bakanov, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS.Bakanov pritej gjithashtu të takohej me ekipin e misionit Crew-11 të NASA-s, përfshirë kozmonautin rus, Oleg Platonov, përpara nisjes me anijen hapësinore Crew Dragon të SpaceX-it.
ISS-ja është krijuar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Japonia, dhe montimi i saj filloi në vitin 1998.
Stacioni ishte planifikuar që të ishte funksional deri më 2024, por Administrata Kombëtare amerikane e Hapësirës (NASA) ka thënë se ISS-ja do të mbetet funksionale deri më 2030.
Si pjesë e sanksioneve të shumta të vendosura ndaj Rusisë pas agresionit të saj ndaj Ukrainës, shumë vende perëndimore i kanë ndërprerë bashkëpunimet me Roscosmos-in.
Programi hapësinor i Rusisë, që për dekada ka qenë burim krenarie për vendin, prej vitesh po vuan nga mungesa kronike e financimit dhe skandalet e korrupsionit./REL