
Dy të mitur nga Britania mbyten në bregdetin lindor të Spanjës
Dy vëllezër britanikë, të moshës 11 dhe 13 vjeç, kanë humbur jetën pas mbytjes në det pranë plazhit Llarga në Salou, në rajonin e Tarragonës, në bregdetin lindor të Spanjës, bënë të ditur autoritetet lokale.
Ngjarja tragjike ndodhi të martën në mbrëmje, kur fëmijët hynë në ujë, ndërsa babai i tyre, që po ashtu kishte hyrë në det, u shpëtua i gjallë.
Shërbimet e emergjencës u njoftuan në orën 20:47 me orën lokale. Sipas mediave spanjolle, në atë moment kushtet në det ishin të vështira dhe plazhi ishte nën flamurin e verdhë gjatë gjithë ditës — një sinjal që lejon notin, por këshillon kujdes të shtuar.
Në vendngjarje mbërritën shtatë njësi mjekësore, si dhe forcat e policisë dhe zjarrfikësit. Autoritetet dërguan gjithashtu një ekip psikologësh për të mbështetur familjen në këtë moment të rëndë.
Kreu i policisë lokale, José Luis Gargallo, deklaroi: “Ky është një plazh që në 99% të kohës ofron kushte ideale për not, por dje nuk ishte kështu.”
Sipas të dhënave zyrtare, me këtë rast numri i viktimave në plazhet katalanase që nga fillimi i sezonit veror më 15 qershor ka arritur në 16, pesë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike konfirmoi se po i ofrohet ndihmë familjes së fëmijëve dhe se janë në kontakt me autoritetet spanjolle.
Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Katalonjë i bëri thirrje publikut të tregojë kujdes të shtuar në plazhe, pishina dhe ujëra të brendshme gjatë sezonit veror.
Ngjarja vjen pas disa vdekjeve të tjera të shtetasve britanikë në Spanjë këtë verë. Më herët këtë muaj, dy të rinj britanikë, të moshës 19 dhe 26 vjeç, humbën jetën në incidente të ndara në një hotel dhe një lokal muzikor në Ibica. /abcnews