
Figura të njohura izraelite kërkojnë sanksione të rënda ndërkombëtare ndaj Izraelit, shkak kriza humanitare në Gazë
Një grup prej 31 personalitetesh të njohura publike izraelite përfshirë akademikë, artistë dhe intelektualë i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të vendosë sanksione të rënda ndaj Izraelit, për shkak të situatës së rëndë humanitare në Gazë, ku miliona palestinezë përballen me uri ekstreme.
Në një letër të hapur të publikuar në “The Guardian”, nënshkruesit akuzojnë Izraelin për “vdekjen nga uria të popullsisë së Gazës” dhe për shqyrtimin e “zhvendosjes së detyruar të miliona palestinezëve” nga territori. Ata theksojnë:
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të vendosë sanksione shkatërruese ndaj Izraelit, derisa të përfundojë kjo fushatë brutale dhe të vendoset një armëpushim i përhershëm.”
Mes nënshkruesve janë: fituesi i çmimit Oscar Yuval Abraham, ish-prokurori i përgjithshëm Michael Ben-Yair, ish-kryetari i parlamentit Avraham Burg, si dhe fitues të Çmimit të Izraelit, vlerësimit më të lartë kulturor në vend. Gjithashtu, artistë si Michal Na’aman, regjisorët Ra’anan Alexandrowicz dhe Samuel Maoz, poeti Aharon Shabtai dhe koreografja Inbal Pinto.
Letra shkel një tabu të fortë në shoqërinë izraelite, ku ka ligje që ndëshkojnë thirrjet për sanksione ndaj shtetit.
Publikimi i saj vjen në një kohë kur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 60 mijë palestinezë janë vrarë gjatë konfliktit 21-mujor. Pamjet e fëmijëve të kequshqyer dhe raportimet për të shtëna ndaj civilëve në qendrat e ndihmës ushqimore kanë rritur indinjatën globale përfshirë brenda Izraelit dhe diasporës hebraike.
Dy organizata të të drejtave të njeriut në Izrael, B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut Izrael, publikuan së fundmi raporte që e cilësojnë për herë të parë politikën izraelite në Gaza si “gjenocidale”.
Edhe Lëvizja Reformiste Hebraike në SHBA e quajti qeverinë izraelite “përgjegjëse për përhapjen e urisë”. Në deklaratën e saj thuhej: “Bllokimi i ushqimit, ujit dhe ilaçeve është i pajustifikueshëm, veçanërisht për fëmijët. Dashuria për Izraelin nuk duhet të na verbojë përballë vuajtjeve të pafajshmëve.”
Ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert deklaroi më herët se plani për ndërtimin e një “qyteti humanitar” mbi rrënojat e Rafahut përbën një kamp përqendrimi, dhe çdo zhvendosje e detyruar do të ishte spastrimi etnik.
Ndërkohë, qeveria izraelite dhe figura të djathta vazhdojnë të mohojnë ekzistencën e urisë në Gaza, pavarësisht provave nga OKB-ja dhe burime të tjera ndërkombëtare. Qeveria nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për këtë çështje. /abcnews