
Holanda ua ndalon hyrjen dy ministrave izraelitë për shkak të Gazës
Ministria e Jashtme e Holandës njoftoi se do ua ndalojë hyrjen në shtet dy ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë për shkak të situatës së përkeqësuar humanitare në Gazë.
Kjo ndalesë dhe masa të tjera u bënë publike përmes një letre që ministri i Jashtëm, Caspar Veldkamp, ua dërgoi ligjvënësve të hënën në mbrëmje, duke thënë se “lufta në Gazë duhet të ndalet”.
Ndalesa shënjestron ministrin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, dhe atë të Financave, Bezalel Smotrich, që janë dy partnerë kyç të koalicionit të kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Të dy janë përkrahës të fuqishëm të lëvizjes së vendbanimeve izraelite dhe mbështesin vazhdimin e luftës në Gaza, duke lehtësuar atë që ata e quajnë emigrim vullnetar të popullsisë palestineze dhe ndërtimin e vendbanimeve hebreje atje.
Britania, Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Norvegjia vendosën sanksione financiare ndaj këtyre dy ministrave muajin e kaluar.
Më vonë gjatë të martën, udhëheqësit do të takohen në Bruksel për të diskutuar rreth një përgjigje të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe vlerësimin e një marrëveshjeje tregtare midis bllokut dhe Izraelit. Holanda dëshiron që një pjesë e asaj marrëveshjeje të pezullohet.
Ben-Gvir dhe Smotrich kanë reaguar pas këtyre zhvillimeve. Në një deklaratë në rrjetet sociale, Smotrich tha se liderët evropianë po dorëzohen ndaj “gënjeshtrave të islamit radikal” dhe se hebrenjtë mund të mos jenë në gjendje të jetojnë të sigurt në Evropë në të ardhmen.
Ben-Gvir tha se do të “vazhdojë të veproj” dhe shtoi se në Evropë “një ministër hebre nga Izraeli nuk është i dëshiruar, terroristët janë të lirë, dhe hebrenjtë bojkotohen”.
Presioni është rritur ndaj Qeverisë holandeze për të ndryshuar politikën ndaj Izraelit. Javën e kaluar, mijëra persona protestuan në mbarë vendin, duke mbajtur në duar tenxhere e tiganë për të simbolizuar mungesën e ushqimit në Gazë.
Qeveria holandeze po ashtu tha se do të ftojë në një bisedë ambasadorin izraelit në Holandë për t’i bërë thirrje Netanyahut që të ndryshojë qëndrim “dhe menjëherë të marrë masa që do të çonin në përmirësimin e shpejtë të situatës humanitare në mbarë Rripin e Gazës”, tha Veldkamp në letrën dërguar ligjvënësve.
Me mbi 2 milionë banorë të Gazës që përballen me uri dhe kequshqyerje, Izraeli iu nënshtrua presionit ndërkombëtar gjatë fundjavës dhe njoftoi një “pauzë taktike” ditore në luftime në disa zona.
Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës izraelite, më shumë se 59.000 palestinezë janë vrarë dhe vendi me mbi 2 milionë banorë po përballet me krizë të thellë humanitare.