SHBA-ja kërkon që Izraeli të sigurojë ushqim për palestinezët në Gazë

SHBA-ja kërkon që Izraeli të sigurojë ushqim për palestinezët në Gazë

Bota July 28, 2025 - 20:14

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu shqetësim lidhur me përkeqësimin e situatës humanitare në Gazë dhe i bëri thirrje Izraelit që t’u sigurojë njerëzve ushqim.

Duke folur të hënën në Skoci, Trump tha se SHBA-ja dhe vende të tjera po japin para dhe ushqim për Gazën, por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, duhet “të kujdeset, për ta menaxhuar” procesin e dërgimit të ushqimeve.

“Dua që ai të sigurohet që ata të marrin ushqim”, tha Trump. “Dua të sigurohem që ata të marrin ushqim”.

Nga Gaza kohëve të fundit kanë dalë imazhe të fëmjëve të kequshqyer, që kanë nxitur shqetësime për urinë në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta.

Duket se komentet e Trumpit janë rezultat i këtyre imazheve, teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – është në muajin e 21-të, teksa palët nuk janë afër arritjes së një armëpushimi.Presidenti amerikan u pyet nëse pajtohet me deklaratat e bëra të dielën nga Netanyahu, kur ai tha se “nuk ka politikë të urisë në Gazë dhe nuk ka uri në Gazë”.

“Nuk e di”, u përgjigj Trump. “Duke u bazuar në atë që shohim në televizion, do të thosha nuk është bash kështu sepse ata fëmijë duken shumë të uritur”, tha ai.

Në dritë të intensifikimit të kritikave ndërkombëtare, ushtria izraelite gjatë fundjavës nisi lëshimin e ndihmave nga ajri, si dhe nisi pauza të kufizuara në luftime në tri zona të banuara të Gazës për dhjetë orë në ditë, në mënyrë që të ndihmojë me shpërndarjen e ndihmave.

Të premten e kaluar, Trump foli për situatën në Gazë, pasi SHBA-ja dhe Izraeli tërhoqën ekipet negociuese nga bisedimet në Katar për një marrëveshje armëpushimi. Ai tha se Hamasi “me gjasë do të përndiqet” derisa të eliminohet.

Por, Trump të hënën u duk më i prirë për veprim, pas raportimeve për vdekje të shkaktuara nga uria dhe pas pamjeve të njerëzve, veçmas të fëmijëve dhe foshnjave, teksa banorët në Gazë po tentojnë të sigurojnë ushqim.Gjatë takimit me Starmer, Trump tha se SHBA-ja “do të ngrejë qendra ushqimore”, por nuk dha hollësi të tjera.

Trump tha se Hamasi ka vjedhur ushqim dhe ndihma që ishin të dedikuara për njerëzit në Gazë, por kur u pyet nga gazetarët se çfarë përgjegjësie ka Izraeli për kufizimin e ndihmave në Gazë, ai tha se “Izraeli ka shumë përgjegjësi”.

Megjithatë, ai shtoi se Izraeli po ashtu është i kufizuar në veprimet e tij, teksa po tenton që t’i mbajë gjallë 20 pengjet që mbahen në Gazë.

Kur u pyet nëse Izraeli mund të bëjë më shumë, Trump tha se “mendoj se Izraeli mund të bëjë më shumë”, por nuk dha më shumë detaje.

“Ne duhet të ndihmojmë në aspektin humanitar para së gjithash. Duhet t’i ushqejmë fëmijët”, tha ai.

Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, më shumë se 59.000 palestinezë janë vrarë dhe vendi me mbi 2 milionë banorë po përballet me krizë të thellë humanitare./REL