
Filipinet përballen me stuhi të fuqishme tropikale, raportohen së paku 25 viktima
Një stuhi tropikale e fuqishme ka goditur veriun e Filipineve, duke shkaktuar të paktën 25 viktima si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut gjatë kësaj jave.
Tajfuni Co-may goditi qytetin Agno në provincën Pangasinan të enjten në mbrëmje, me erëra që arritën deri në 120 km në orë. Stuhia erdhi pas shirave të dendur që kishin përfshirë një pjesë të madhe të vendit për më shumë se një javë. Parashikimet tregojnë se dhjetëra stuhi tropikale pritet të godasin Filipinet deri në fund të vitit.
Sipas zyrtarëve, shumica e viktimave kanë humbur jetën për shkak të përmbytjeve të befasishme, rrëzimit të pemëve, rrëshqitjeve të dheut. Tetë persona të tjerë raportohen të zhdukur.
Në kryeqytetin Manila dhe në 35 provinca të tjera në rajonin verior të Luzonit, shkollat qëndruan të mbyllura për të tretën ditë radhazi. Më shumë se 80 qytete dhe komuna kanë shpallur gjendje emergjente për të lehtësuar aksesin në fondet e ndihmës dhe për të ngrirë çmimet e produkteve thelbësore.
Rreth 278,000 persona janë zhvendosur në strehimore emergjente ose tek të afërmit, ndërsa afërsisht 3,000 shtëpi janë dëmtuar.
Mijëra ushtarë, policë, roja bregdetare, zjarrfikës dhe vullnetarë janë angazhuar në operacionet e shpëtimit.