Macron: Franca ka vendosur ta njeh shtetin e Palestinës në shtator

Macron: Franca ka vendosur ta njeh shtetin e Palestinës në shtator

Bota July 24, 2025 - 23:30

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar se Franca do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës në shtatorin e këtij viti.

Në një postim në platformën X, Macron tha se njohja zyrtare do të bëhet gjatë një sesioni të Asamblesë së Kombëve të Bashkuara që do të mbahet në New York.

“Në përputhje me përkushtimin historik të Francës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca do ta njohë shtetin e Palestinës. Do ta shpall këtë në një deklaratë zyrtare gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtatorin e ardhshëm”, shkroi Macron.

Tutje, ai u shpreh se urgjenca më e madhe tani për tani është ndalimi i luftimeve në Gaza dhe ofrimi I ndihmës për popullsinë civile, teksa shtoi se “paqja është e mundur”.

“Duhet të arrihet një armëpushim i menjëhershëm, të lirohen të gjithë pengjet dhe të dërgohet ndihmë humanitare e gjerë për popullatën në Gaza. Duhet gjithashtu të sigurohet çarmatosja e Hamasit, siguria dhe rindërtimi i Rripit të Gazës. Së fundi, duhet të themelohet Shteti i Palestinës, të garantohet ekzistenca e tij dhe, përmes çarmatosjes dhe njohjes së plotë të Shtetit të Izraelit, të kontribuojë në sigurinë e të gjithë rajonit. Nuk ka alternativë tjetër”, tha tutje Macron, transmeton Klankosova.tv.

Macron tha se populli francez do paqe në Lindjen e Mesme, e sipas tij, francezët bashkë me izraelitët, palestinezët, partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë duhet ta dëshmojnë se kjo është e mundur.

“Në dritën e angazhimeve të shprehura ndaj meje nga Presidenti i Autoritetit Palestinez, i kam shkruar atij për vendosmërinë time për të ecur përpara në këtë rrugë. Besim, transparencë dhe përkushtim. Ne do ta arrijmë paqen”, tha Macron.