
Ndryshojnë rregullat nëpër aeroplanë, do të lejohen shishet me parfume ose lëngje të tjera
Në aroportet e BE-së pasagjerëve do t'u lejohen sërish të kenë me vete shishe me parfume alkool ose të tjera.
Për këtë do të ketë skanera shtesë për të mos lejuar futjen e produkteve të rrezikshme
Një ndryshim i rëndësishëm po vjen për udhëtarët në aeroportet kryesore të Evropës: shishet me parfume, pije alkoolike dhe të tjera do të lejohen sërish në bagazhin e dorës, duke i dhënë fund kufizimit të famshëm prej 100 mililitrash.
Sipas Corriere della Sera, masat e reja do të hyjnë në fuqi që këtë verë, mes fundit të korrikut dhe gushtit, pasi të përfundojnë verifikimet teknike dhe të miratohet zyrtarisht algoritmi i ri i sigurisë nga Konferenca Evropiane e Aviacionit Civil.
Disa aeroporte kishin nisur përdorimin e skanerëve të teknologjisë së avancuar që lejonin kalimin e lëngjeve, por kjo praktikë u pezullua përkohësisht vitin e kaluar për arsye sigurie.
Tani, me aktivizimin e plotë të sistemit të ri, kremrat diellorë, locionet dhe pijet do të mund të transportohen lirshëm, së bashku me rrobat dhe tabletët në çantat e dorës.
Kjo risi pritet të lehtësojë ndjeshëm procesin e kontrollit dhe të shmangë konfiskimet e shpeshta në pika të sigurisë, duke përmirësuar përvojën e udhëtimit për miliona pasagjerë nëpër Evropë.
Më herët u miratua dhe rregulli i përbashkët për kilogramët e çantave që do të lejohet të merren në bord pa pagesë shtesë. /oranews