
Çifti Macron ngre padi për shpifje kundër influencueses amerikane
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron kanë ngritur një padi për shpifje kundër influencueses së krahut të djathtë Candace Owens, e cila pretendon se zonja e parë e Francës ka lindur mashkull.
Në padinë e ngritur të mërkurën (23 korrik) në shtetin amerikan të Delaware, thuhet se Owens ka përhapur “trillime të çuditshme, shpifëse dhe të pabesueshme”.
Owens i ka përsëritur rregullisht këto pretendime në podkastet e saj të njohura dhe në kanalet e mediave sociale, dhe në mars të vitit 2024 deklaroi se do të mbështetej në “tërë reputacionin e saj profesional” në besimin e saj se znj. Macron “është në fakt një burrë”.
Një teori konspiracioni që ka qarkulluar për vite me radhë në hapësirat periferike online pretendon se znj. Macron ka lindur mashkull me emrin Jean-Michel Trogneux, i cili i përket vëllait të saj.
Owens e ka përhapur teorinë e konspiracionit tek audienca e saj e gjerë, përfshirë gati 7 milionë ndjekës në X. Më herët këtë vit ajo publikoi një seri videosh të titulluar “Becoming Brigitte”.
Në një deklaratë të lëshuar nga avokatët e tyre, familja Macron tha se i kishin kërkuar vazhdimisht Owens-it tërheqje, por “përfundimisht arritën në përfundimin se referimi i çështjes në një gjykatë ishte e vetmja rrugë e mbetur për zgjidhje”, transmeton BBC.
Padia pretendon se Owens “shpërfilli të gjitha provat e besueshme që hedhin poshtë pretendimin e saj në favor të platformës së teoricienëve të njohur të konspiracionit dhe shpifësve të provuar”.
Gjithashtu akuzon Owens për pretendime të rreme se presidenti francez dhe gruaja e tij janë të afërm gjaku dhe se Emmanuel Macron u vendos në detyrë nga një komplot sekret i CIA-s.
Owens punoi për organizata konservatore, përfshirë grupin studentor Turning Point dhe median Daily Wire, përpara se të lançonte podcastin e saj të pavarur në vitin 2024. Po ashtu Owens ka punuar për një numër mediash dhe organizatash konservatore. Që atëherë ajo ka përhapur thashetheme ose ka sugjeruar se pas gjërave të tilla si vaksinat kundër Covid-it, Holokausti dhe uljet në hënë fshihen teori konspirative.
Padia përmend gjithashtu kompanitë e saj me seli në Delaware dhe kërkon dëmshpërblim të paspecifikuar.
Familja Macron ka ngritur më parë padi ligjore kundër dy grave në Francë lidhur me teorinë e tyre se Brigitte Macron është një mashkull biologjik. Fillimisht ato u shpallën fajtore për “shpifje, megjithëse kjo më pas u rrëzua, gjë të cilën Brigitte Macron tani e ka apeluar./rtsh