
Gjashtë viktima në Itali nga temperaturat e larta
Gjashtë persona kanë humbur jetën në Itali që nga e premtja e kaluar si pasojë e valës së të nxehtit që ka goditur jugun e vendit.
Në katër ditët e fundit, një turist 19-vjeçar austriak, dy burra, të moshës 71 dhe 66 vjeç, dhe një grua 60-vjeçare italiane, të cilët po kalonin pushimet në jug të Italisë, vdiqën nga arresti kardiak.
Mjekët besojnë se shkaku kryesor i vdekjes – në të gjitha rastet – janë temperaturat e larta, të cilat tejkaluan 43 gradë Celsius.
Të martën një burrë 60-vjeçar dhe një burrë 81-vjeçar vdiqën nga arresti kardiak, ndërsa ndodheshin në plazh.
Sipas parashikimeve, vala e të nxehtit pritet të fillojë të ulet nga mbrëmja e së enjtes, por në disa zona të Italisë jugore, temperaturat mund të mbeten më të larta se mesatarja për sezonin.
Italia është goditur nga disa valë të nxehti në fillim të kësaj vere dhe shërbimet meteorologjike të vendit thonë se ngjarjet e fundit klimatike janë shenjë e qartë se javët në vijim do të jenë me temperatura ekstreme, teksa një pjesë e vendit nga ana tjetër mund të përballet me stuhi të forta.