Autoritetet spitalore raportojnë për 21 fëmijë të vdekur nga kequshqyerja dhe uria në Gazë
Foto: Reuters

Autoritetet spitalore raportojnë për 21 fëmijë të vdekur nga kequshqyerja dhe uria në Gazë

Bota July 22, 2025 - 15:49

Kreu i spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës tha se 21 fëmijë kanë vdekur në mbarë territorin palestinez në tri ditët e fundit “për shkak të kequshqyerjes dhe nga uria”.

“Këto vdekje janë regjistruar në spitale në Gazë, përfshirë në Al-Shifa në Qytetin e Gazës në Spitalin Martirët e Al-Aksës në Deir el-Balah dhe në spitalin Naser në Han Junis... gjatë 72 orëve të fundit”, tha Mohammed Abu Salmiya për gazetarët.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të hënën mbrëma se “institucionet e fundit që po mbajnë gjallë njerëzit janë duke kolapsuar” në Gazë, duke shtuar se gjithnjë e më shumë ka raportime për raste të kequshqyerjes së fëmijëve dhe të rriturve.

Abu Salmiya u tha gazetarëve se rastet e reja të kequshqyerjes dhe urisë po arrijnë në spitalet e mbetura të Gazës “çdo moment”.

“Ne po shkojmë drejt numrave alarmues të vdekjeve për shkak të urisë me të cilën po përballen njerëzit në Gazë”, tha ai.

Pasi dështuan bisedimet për zgjatjen e armëpushimit gjashtëjavor, Izraeli vendosi bllokadë të plotë në Gazë më 2 mars, duke mos lejuar asnjë kamion me ndihma deri në fund të majit.

Por, furnizimet që hyn më pas shpejt u harxhuan, duke bërë që mbi 2 milionë banorët e Gazës të përballen me mungesën më të madhe të furnizimeve që nga nisja e luftës në tetor të vitit 2023.

Javën e kaluar, agjencia për mbrojtje civile në Gazë ka raportuar për vdekjen e tre foshnjave “për shkak të urisë dhe kequshqyerjes”.

Ndërkaq, të hënën dhjetëra shtete, duke përfshirë Britaninë, Francën, Australinë dhe Kanadanë, bënë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftës, lirimin e pengjeve dhe lejimin e hyrjes së ndihmave në Gazë.

Izraeli e ka nisur fushatën ushtarake në Gazë në përgjigje të sulmit të kryer nga Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, si pasojë e të cilit janë vrarë 1.200 njerëz dhe janë marrë peng rreth 240 të tjerë.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej atëherë. /REL