Yulia Svyrydenko emërohet kryeministre e Ukrainës
Foto: Reuters

Yulia Svyrydenko emërohet kryeministre e Ukrainës

Bota July 17, 2025 - 15:44

Kuvendi i Ukrainës e ka emëruar Yulia Svyrydenkon kryeministre të vendit, në kuadër të riformatimit më të më madh të kabinetit qeveritar në këtë shtet në vjetët e fundit, me qëllim të përmirësimit të menaxhimit në periudhë lufte.

Svyrydenko, 39-vjeçare, e ka marrë detyrën nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, me kërkesë për rritje të prodhimit të brendshëm të armëve dhe ringjallje të ekonomisë së Ukrainës, të varur në mënyrë të konsiderueshme nga kreditë.

Në fjalimin para Kuvendit, Zelensky ka thënë se pret që Qeveria të rrisë numrin e armëve që prodhohen brenda territorit dhe që brenda gjashtë muajve ato jenë të shpërndara në fushëbetejë te 50 për qind e ushtarëve.

Ai e ka përmendur edhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me aleatët, si një prej synimeve kryesore të riformatimit më të madh qeveritar prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 2022.

Svyrydenko është teknokrate me përvojë, e cila ka shërbyer si zëvendëskryeministrja e parë e Ukrainës prej vitit 2021. Ajo është zotuar se do të veprojë “me shpejtësi dhe vendosmëri”.

“Lufta nuk lë hapësirë për vonesa”, ka thënë ajo përmes një postimi në X – dikur Twitter.

“Prioritetet tona për gjashtë muajt e parë janë të qarta: furnizime të qëndrueshme për ushtrnë, zgjerim të prodhimit të brendshëm të armëve dhe përforcim të kapaciteteve teknologjike për forcat tona mbrojtëse”.

Svyrydenko është e njohur brenda qarqeve të administratës amerikane, pasi ajo e ka negociuar marrëveshjen për qasjen e Shteteve të Bashkuara në minerale e rralla të Ukrainës.

Këto negociata konsiderohen kryesore në përforcim të marrëdhënieve në mes të Kievit dhe Uashingtonit.

Duke iu adresuar ligjvënësve të enjten, Zelensky ka thënë se do të ketë edhe marrëveshje tjera që do të arrihen me SHBA-në, por ka përmendur diçka specifike. /REL