Von der Leyen propozon taksa të reja për kompanitë e mëdha, në kuadër të buxhetit të ri prej dy trilionë eurosh
Foto: Laura Hasani

Von der Leyen propozon taksa të reja për kompanitë e mëdha, në kuadër të buxhetit të ri prej dy trilionë eurosh

Bota July 17, 2025 - 10:40

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar taksa të reja për kompanitë e mëdha, produktet e duhanit dhe mbeturinat elektronike, si pjesë e një projekti buxheti prej 2 trilionë eurosh për periudhën 2028-2034.

Në një konferencë për shtyp, e cila u shty disa orë për shkak të negociatave intensive mbi shifrat, Von der Leyen tha se ky buxhet synon të përballojë sfidat e Europës dhe të forcojë pavarësinë e saj.

“Ky është një buxhet prej 2 trilionë eurosh për një epokë të re… që adreson sfidat e Evropës dhe forcon pavarësinë tonë,” deklaroi ajo.

Propozimet parashikojnë një rritje pesëfish të fondeve të BE-së për mbrojtjen, trefishim të fondeve për migracionin dhe menaxhimin e kufijve, si dhe dyfishim të buxhetit për kërkimin shkencor, ku 35% e tij do të jetë e dedikuar për klimën dhe biodiversitetin. Po ashtu, është planifikuar një fond prej 100 miliardë eurosh për Ukrainën, të cilën Komisioneri për Buxhetin e BE-së, Piotr Serafin, e quajti “partnerin tonë më strategjik”.

Megjithatë, politikanët dhe organizatat mjedisore reaguan me zemërim, pasi duket se fondi i vetëm i dedikuar për mbrojtjen e natyrës në BE do të hiqet për të thjeshtuar buxhetin, duke reduktuar ndjeshëm numrin e programeve.

Rasmus Nordqvist, eurodeputet i partisë së Gjelbër daneze, e konsideroi këtë si një vendim “jo të përgjegjshëm dhe afatshkurtër” dhe paralajmëroi se kriza e biodiversitetit do të thellohet pa ndërhyrje.

Kritika pati edhe nga fermerët dhe Parlamenti Evropian për planin e bashkimit të politikave emblemë të BE-së, përfshirë politikën e përbashkët bujqësore dhe fondet rajonale, në një fonde të vetme me më pak programe të dedikuara.

Grupi bujqësor Copa-Cogeca organizoi një protestë të vogël por të zëshme para selisë së Komisionit Evropian, duke thënë se “thelbësisht po minohet dhe shkatërrohet politika bujqësore evropiane, në një ditë që mund të quhet E Mërkura e Zi në Bruksel”.

Zyrtarët e BE-së hodhën poshtë këto akuza, duke siguruar se pagesat direkte për fermerët, në vlerë prej 300 miliardë eurosh, do të mbeten të paprekura.

Në një shenjë të konflikteve të forta që priten, kryeministri hungarez Viktor Orbán — i cili pothuajse pengoi buxhetin e kaluar të BE-së, shprehu sërish kundërshtimin ndaj mbështetjes për Kievin: “Brukseli nuk duhet të braktisë fermerët evropianë për të financuar Ukrainën,” tha ai.

Von der Leyen theksoi se buxheti i saj do të lejojë që qeveritë kombëtare me buxhete të ngushta të mos duhet të paguajnë më shumë, duke prezantuar pesë masa të reja për të rritur të ardhurat e BE-së.

Ajo propozon të arkëtohen taksa nga sistemi evropian i tregtimit të emetimeve, taksa kufitare mbi karbonin, taksa për kompanitë me qarkullim mbi 100 milionë euro, si dhe tatime mbi duhanin dhe mbeturinat elektronike. BE-ja financohet tashmë pjesërisht nga të ardhurat nga taksat doganore.

Ministrat e financave nga vendet që kontribuojnë më shumë sesa marrin, shprehën shqetësim të menjëhershëm. Ministri holandez i financave, Eelco Heinen, tha se buxheti i propozuar është shumë i lartë, ndërsa Suedia deklaroi: “Problemet e BE-së nuk zgjidhen me një buxhet më të madh.”

Gjermania ka kërkuar që buxheti të mos rritet, ndërsa Franca po përballet me sfida të brendshme buxhetore që mund të destabilizojnë qeverinë.

Në kontrast, një grup eurodeputetësh nga qendra e djathtë, socialistët, liberalët dhe të gjelbrit u shprehën se planet nuk “sigurojnë fonde të mjaftueshme për prioritetet kritike, si konkurrueshmëria, kohezioni, bujqësia, mbrojtja, adaptimi ndaj klimës” dhe shpenzime të tjera ekonomike.

Shtimi i kompleksitetit vjen nga fakti që nga viti 2028 BE-ja duhet të nisë shlyerjen e huave të marra për fondin e rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh pas pandemisë. Komisioni ka vlerësuar më parë se janë të nevojshme 25-30 miliardë euro në vit për shlyerjen e këtyre borxheve, që është dyfish i buxhetit aktual për kërkimin.

Buxheti aktual shtatëvjeçar, pa përfshirë fondin e rimëkëmbjes, arrin në 1.2 trilionë euro, rreth 1% e madhësisë së ekonomisë evropiane.

Ky buxhet duhet të miratohet në mënyrë unanime nga 27 shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian. /abcnews