
Zjarr masiv në Turqinë Veriperëndimore, evakuohen disa fshatra
Autoritetet turke po përballen me fronte të reja zjarri, pas shpërthimit të një zjarri të madh në mesditë të së martës në një zonë pyjore në Sarkoy, në rajonin Tekirdag (në veriperëndim të Turqisë).
Zjarri është përhapur shpejt në rajonin e Marmarasë, duke shkaktuar të paktën dy fronte aktive në Çanakkale.
Për të parandaluar përhapjen e flakëve, autoritetet lokale kanë marrë masa drastike dhe kanë evakuuar shtatë fshatra që ndodhen në zonën e rrezikuar. Deri tani, janë dërguar në spital katër persona që kanë pësuar probleme të frymëmarrjes si pasojë e tymit të dendur.
Në përpjekje për të kontrolluar zjarrin, 21 mjete ajrore janë angazhuar, përfshirë avionë dhe helikopterë, ndërsa puna e tyre po vështirësohet nga erërat e forta që vazhdojnë të fryjnë në zonë, duke përshpejtuar shpërndarjen e flakëve.
Megjithatë, shkaku i shpërthimit të zjarrit ende nuk është zbuluar. Hetimet janë në zhvillim e sipër, dhe po shqyrtohet mundësia që zjarri të jetë shkaktuar nga një zog që ka prekur linjat e energjisë elektrike, duke shkaktuar shkëndija.