
Mjeku vrasës, akuzohet për vrasjen e 15 pacientëve në Gjermani
Një mjek gjerman 40-vjeçar, i identifikuar si Johannes M nga mediat gjermane qe nuk kane zbuluar mbiemtin e tij, është vënë në bankën e të akuzuarve në një gjyq që ka tronditur opinionin publik në Gjermani dhe më gjerë. Ai akuzohet për vrasjen me paramendim të 15 pacientëve rëndë të sëmurë, por që nuk ishin në prag të vdekjes, gjatë periudhës shtator 2021 – korrik 2024.
Prokuroria gjermane e ka cilësuar këtë rast si vrasje me paramendim në rrethana cilësues dhe kërkon dënimin me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht, një masë e rrallë në sistemin gjerman të drejtësisë, që përdoret vetëm për rastet më të rënda.
Sipas akuzës, mjeku u ka injektuar pacientëve një përzierje anestezie dhe relaksuesi të muskujve, e cila bllokon frymëmarrjen dhe çon në vdekje brenda pak minutash. Viktimat, të moshës nga 25 deri në 94 vjeç, ndodheshin në trajtim mjekesor në shtëpitë e tyre dhe nuk kishin dhënë asnjëherë pëlqimin për eutanazi. Në disa raste, mjeku dyshohet se iu ka vënë zjarrin banesave të pacientëve, për të shkatërruar gjurmët dhe provat.
Autoritetet kanë zbuluar se Johannes M. ka qenë i përfshirë në rreth 395 raste vdekjesh, dhe nga këto, 95 janë tashmë objekt hetimi. Prej tyre, 75 mbeten ende çështje të hapura, dhe në 5 raste është urdhëruar ekshumimi i trupave për analizë mjeko-ligjore. Një nga rastet që po hetohet është edhe vdekja e vjehrrës së tij në Poloni në fillim të vitit 2024.
Gjyqi në Berlin ka nisur këtë javë dhe pritet të zgjasë deri në janar 2026, me rreth 35 seanca të planifikuara. Janë parashikuar rreth 150 dëshmitarë, ndërsa 13 të afërm të viktimave janë paraqitur si palë civile. I akuzuari ka refuzuar të flasë gjatë seancës dhe nuk ka pranuar të bëjë një ekzaminim psikiatrik, por sjellja e tij do të vëzhgohet nga një ekspert i caktuar nga gjykata. Ky rast ka sjellë kujtime të errëta nga çështja e infermierit gjerman Niels Högel, i dënuar në vitin 2019 për vrasjen e 85 pacientëve në spital. Ashtu si Högel, edhe Johannes M. mund të përballet me ndalim të përjetshëm për ushtrimin e profesionit të mjekut dhe mbajtje në paraburgim të posaçëm edhe pas përfundimit të dënimit, nëse gjykata arrin në përfundimin se paraqet rrezik për shoqërinë.