
Shefi i NATO-s: Marrëveshja e armëve ia dërgon një mesazh të fortë Kremlinit për unitetin SHBA - Evropë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se vendimi për të vazhduar me shitjen e armëve i dërgon një mesazh të qartë Vladimir Putinit për unitetin midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, dhe se ata do të “bëjnë gjithçka që duhet për Ukrainën”.
Ai i bëri këto komente në një intervistë me Fox News të hënën, pas takimit të tij me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Uashington, raporton Ukrinform.
“Nëse do të isha në Kremlin sot, nuk do të isha shumë i lumtur sepse ky është një sinjal i qartë se presidenti Trump është serioz. Ai dëshiron paqe. Ai e urren faktin që kaq shumë njerëz humbasin jetën në Ukrainë”, tha Rutte.
Ai theksoi se vendimi i Shtëpisë së Bardhë për t’u shitur armë vendeve të NATO-s për shpërndarje në Ukrainë ishte një moment “i rëndësishëm” për Evropën mes negociatave të ngecura të paqes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë.
Rutte u tha gazetarëve pas takimit të tij me Trump në Uashington më 14 korrik se ishte arritur një marrëveshje për mbështetjen me armë për Ukrainën.
Rutte vlerësoi përpjekjet e Trumpit për të thyer bllokimin në komunikimin me Putinin dhe për t’i dhënë udhëheqësit të Kremlinit një shans për të demonstruar seriozitet në lidhje me zgjidhjen e luftës në Ukrainë.