
Zbulimi tronditës për aksidentin tragjik të Air India, një nga pilotët çaktivizoi çelësat e kontrollit të karburantit
Hetuesit kanë bërë një zbulim tronditës në hetimin paraprak të përplasjes së fluturimit Air India 171, që vrau 260 persona në qershor.
Vetëm disa sekonda pas ngritjes, të dy çelësat e kontrollit të karburantit të avionit Boeing 787 Dreamliner 12-vjeçar u kaluan papritur në pozicionin “cut-off” (ndërprerje), duke i ndërprerë furnizimin me karburant motorëve dhe duke shkaktuar humbje të plotë të fuqisë. Kjo është një lëvizje që zakonisht bëhet vetëm pas uljes së avionit.
Regjistrimi i zërit nga kabina kap një pilot duke i thënë tjetrit: “Pse e bëre ndërprerjen?”, ndërsa përgjigjja ishte: “Nuk e bëra unë.” Nuk është e qartë se kush tha çfarë. Në momentin e ngritjes, ishte kopiloti që po e pilotonte avionin, ndërsa kapiteni po mbikëqyrte fluturimin.
Çelësat u kthyen sërish në pozicionin normal të fluturimit, duke aktivizuar automatikisht rindezjen e motorëve. Në momentin e përplasjes, njëri motor po rifitonte shtytjen, ndërsa tjetri ishte ndezur, por ende nuk kishte rifituar fuqinë.
Fluturimi Air India 171 ishte në ajër për më pak se një minutë para se të rrëzohej në një lagje të populluar të qytetit Ahmedabad në Indi, duke u bërë një nga aksidentet ajrore më të pashpjegueshme në historinë e vendit.
Hetuesit po analizojnë mbetjet e avionit dhe regjistrimet nga kabina për të kuptuar se çfarë ndodhi menjëherë pas ngritjes. Sipas faqes FlightRadar24, avioni arriti një lartësi prej 625 këmbësh (rreth 190 metra) në kushte të qarta moti, përpara se të humbiste sinjalin pas rreth 50 sekondash.
Raporti paraprak – i udhëhequr nga autoritetet indiane me ekspertë nga Boeing, General Electric, Air India, rregullatorë indianë dhe pjesëmarrës nga SHBA dhe Britania – ngre shumë pyetje.
Hetuesit shpjegojnë se çelësat e karburantit kanë një mekanizëm sigurie që kërkon të tërhiqen përpara se të lëvizen, duke e bërë aktivizimin aksidental shumë të vështirë. Gjithashtu, mbrohen me struktura metalike për të parandaluar prekjen e paqëllimshme.
“Do të ishte pothuajse e pamundur të aktivizoheshin të dy çelësat me një lëvizje të vetme të njërës dorë, gjë që e bën shumë të pamundur që të jetë aksidentale,” tha një hetues nga Kanadaja për BBC–në.
Nëse njëri nga pilotët e ka ndërprerë vetë karburantin, me vetëdije apo jo, “ngre pyetjen: pse?”, tha Shawn Pruchnicki, ish-hetues aksidentesh dhe ekspert aviacioni në Universitetin e Ohajos.
“A ishte një veprim i qëllimshëm apo thjesht konfuzion? Kjo duket pak e besueshme, pasi nuk pati raportime për ndonjë situatë të pazakontë nga pilotët. Në raste emergjencash në kabinë, ndodh që pilotët të shtypin butona të gabuar, por këtu nuk ka asnjë tregues se çelësat e karburantit janë prekur nga gabimi.”
Peter Goelz, ish-drejtor i Bordit Kombëtar të Hetimeve të Aksidenteve në SHBA (NTSB), e quajti “shqetësuese” zbulimin që një pilot mund të ketë fikur karburantin menjëherë pas ngritjes.
“Sugjerimi që dikush në kabinë e bëri këtë është alarmues. Por fjalia e vetme ‘pse i ndërpreve çelësat’ nuk mjafton – duhet të dimë më shumë nga regjistrimi i zërit. Kush e bëri veprimin? Dhe pse?”
Regjistruesi i zërit – që përfshin mikrofonët e pilotëve, thirrjet në radio dhe zhurmat e ambientit në kabinë – pritet të jetë çelësi i enigmës.
“Ende nuk janë identifikuar zërat. Normalisht, kur dëgjohet regjistrimi, janë të pranishëm persona që i njohin pilotët për të ndihmuar me identifikimin e zërave. Deri tani, nuk e dimë ende se cili pilot i ktheu çelësat në ‘cut-off’ dhe pastaj sërish në pozicion normal,” tha Goelz.
Sipas hetuesve, nevojitet:
identifikim i qartë i zërave;
transkript i plotë i kabinës me emrat e folësve;
dhe rishikim i të gjitha komunikimeve nga momenti që avioni u nis nga porta deri në përplasje.
Ata gjithashtu kërkojnë vendosjen e kamerave në kabinë, siç rekomandohet nga NTSB, për të parë se kush e preku çelësin.
Të dy pilotët dhe ekuipazhi kishin kaluar testet e alkoolit dhe ishin të përshtatshëm për fluturim. Ata kishin qëndruar në Ahmedabad një ditë përpara fluturimit dhe kishin pasur kohë të mjaftueshme për pushim.
Një pikë interesante në raport përmend një buletin teknik të lëshuar nga FAA në dhjetor 2018, ku theksohet se disa çelësa të Boeing 737 mund të ishin instaluar me mekanizmin e bllokimit të çaktivizuar.
Edhe pse kjo u vërejt, nuk u konsiderua aq serioze sa të lëshohej një direktivë detyruese për ajrin (Airworthiness Directive). Ky dizajn çelësi është përdorur edhe në Boeing 787-8, përfshirë avionin e rrëzuar të Air India (VT-ANB). Meqenëse rekomandimi ishte vetëm këshillues, Air India nuk bëri kontrollin e sugjeruar.
Pruchnicki ngre pyetje: “Nëse çelësi mund të kthehet në off me një lëvizje të vetme kur bllokimi nuk është aktiv, atëherë kjo është një çështje shumë serioze. Nëse jo, edhe kjo duhet të sqarohet.”
Të tjerë nuk janë të bindur se kjo është çështja kryesore. “Nuk kam dëgjuar ndonjë pilot që të ankohet për këto çelësa – e zakonisht pilotët janë të shpejtë për të ngritur shqetësime,” tha Goelz.
Një tjetër pistë hetimi është nëse ndërprerja e çelësave u shkaktua elektronikisht nga njësia e kontrollit të avionit.
“Nëse çelësat janë aktivizuar nga kompjuteri pa ndërhyrje fizike të pilotit, atëherë kemi një problem serioz,” tha për BBC-në hetuesi indian Kishore Chinta.
Mostrat e karburantit u vlerësuan si “të kënaqshme”, duke përjashtuar kontaminimin si shkaktar të dështimit të dyfishtë të motorëve. Deri më tani, nuk është lëshuar asnjë paralajmërim për modelin Boeing 787 apo për motorët GE GEnx-1B, ndërsa dështimi mekanik është përjashtuar për momentin.
Raporti përmend edhe aktivizimin e Ram Air Turbine (RAT) – një tregues i qartë i dështimit të sistemeve. Gjithashtu, rrotat e avionit ishin ende të nxjerra.
RAT është një turbinë emergjente që del automatikisht kur të dy motorët humbasin fuqinë ose kur presioni hidraulik bie në nivel kritik, për të siguruar minimumin e energjisë për sistemet thelbësore të fluturimit.
Sipas një piloti të Boeing 787, gjatë ngritjes, rrotat zakonisht tërhiqen brenda 8 sekondash nga një lartësi prej rreth 400 këmbësh. Ai mendon se në këtë rast, piloti nuk pati kohë të reagonte.
“Kur të dy motorët dështojnë dhe avioni bie, trupi nuk reagon vetëm me tronditje – mpihesh. Fokusin e ke vetëm tek rruga e fluturimit.