Ish-këshilltari i Trumpit: SHBA-ja nuk synon ndryshimin e regjimit në Iran

Ish-këshilltari i Trumpit: SHBA-ja nuk synon ndryshimin e regjimit në Iran

Bota June 22, 2025 - 14:04

Teherani nuk është në pozitë të kërkojë armëpushim si parakusht për negociata, thotë Fred Fleitz, nënkryetar i Institutit “America First Policy” dhe ish-zëvendësasistent i presidentit amerikan, Donald Trump, në vitin 2018.

Në një intervistë të dhënë më 20 qershor — përpara se Shtetet e Bashkuara të ndërmerrnin sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane — Fleitz i tha Radios Evropa e Lirë se veprimet ushtarake mund t’i shkaktojnë dëme serioze programit bërthamor të Iranit, i cili, sipas tij, është tashmë afër përftimit të armës bërthamore.

Fleitz, i cili sherbeu edhe si shef i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së në 2018, akuzoi agjencitë amerikane të inteligjencës se po e minimizojnë rrezikun për arsye politike dhe argumentoi se Irani ndodhet në një gjendje lufte faktike me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Megjithëse theksoi se ish-presidenti Donald Trump nuk e mbështet ndryshimin e regjimit si politikë zyrtare, Fleitz tha se rënia e udhëheqjes iraniane — nëse ndodh si pasojë e konfliktit — mund të mirëpritet nga populli iranian dhe komuniteti ndërkombëtar. Por, ai shprehu shqetësim për atë që mund të pasojë.