
Trumpi akuzon Kanadanë për abuzim me tarifat
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar Kanadanë për “abuzim me tarifat” dhe ka njoftuar se SHBA-ja nuk do të subvencionojë më Kanadanë pas vendimit të Ontarios për të vendosur tarifa shtesë prej 25% për energjinë elektrike që shitet në disa shtete të SHBA-së.
Në një postim në Truth Social, Trump ka theksuar se Kanadaja tashmë po vendos tarifa të larta, deri në 390%, për disa produkte bujqësore amerikane. Së fundmi, Ontario ka njoftuar se do të shtojë një tarifë prej 25% për energjinë elektrike që i dërgohet 1.5 milionë shtëpive amerikane në shtetet e Nju Jorkut, Minesotës dhe Miçiganit, raporton New York Post, transmeton Klankosova.tv.
“Juve as nuk u lejohet ta bëni këtë. Kanadaja është një abuzues i tarifave, dhe SHBA-ja nuk do ta subvencionojë më Kanadanë,” ka shkruar Trump. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë nevojë për makinat, lëndën drusore ose energjinë nga Kanadaja.
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, mbrojti vendimin dhe e cilësoi atë një përgjigje ndaj tarifave të vendosura nga administrata Trump.