Zelensky thotë se përplasja e tij me Trumpin ishte për “keqardhje”

Zelensky thotë se përplasja e tij me Trumpin ishte për “keqardhje”

Bota March 04, 2025 - 17:31

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se përplasja e tij me presidentin amerikan, Donald Trump, ka qenë për “keqardhje” dhe që është gati të punojë me homologun e tij amerikan për të arritur paqe afatgjatë, dhe që është koha për t’i bërë gjërat “siç duhet”.

“Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, të premten, nuk ka shkuar siç ishte planifikuar. Është për keqardhje që u zhvillua ashtu. Është koha t’i bëjmë gjërat siç duhet. Ne do të dëshironim bashkëpunim të mëtejmë dhe komunikim konstruktiv”, ka thënë lideri ukrainas përmes një postimi në X – dikur Twitter.

Këto janë deklaratat e para të Zelenskyt pas pezullimit të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën.

Zelensky ka thënë se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet e rralla, të cilën administrata Trump e konsideron shumë të rëndësishme në përpjekjet për dhënie fund të luftës.

“Sa i përket marrëveshjes për minerale dhe siguri, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë atë në çdo kohë dhe format të përshtatshëm”, ka thënë Zelesky.

“Ne e shohim këtë marrëveshje si hap drejt garancive më të mëdha dhe garancive solide të sigurisë, dhe unë njëmend shpresoj që do të funksionojë”. /REL