Zelensky propozon fazën e parë për përfundimin e luftës

Zelensky propozon fazën e parë për përfundimin e luftës

Bota March 04, 2025 - 17:28

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet dhe sigurinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të punojë nën “lideshipin e fuqishëm” të presidentit Donald Trump.

Pavarësisht se pranoi se takimi me presidentin amerikan “nuk shkoi siç duhet”, lideri ukrainas përsëriti angazhimin e Ukrainës për paqen dhe lavdëroi Trumpin për ofrimin e raketave Javelin për ushtrinë ukrainase.

Zelensky shprehu angazhimin e fortë të Ukrainës për paqen dhe përfundimin e luftës që ka shkaktuar dhimbje dhe shkatërrim të madh për popullin ukrainas.

“Dëshiroj të përsëris angazhimin e Ukrainës për paqen. Asnjë nga ne nuk dëshiron një luftë të pafundme. Ukraina është e gatshme të ulet në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për të afruar paqen afatgjatë. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit. Ekipi im dhe unë jemi të gatshëm të punojmë nën lideshipin e fuqishëm të presidentit Trump për të arritur një paqe që do të zgjasë”, tha ai.

Zelensky gjithashtu theksoi gatishmërinë e Ukrainës për të punuar shpejt dhe me efikasitet për të përfunduar luftën, “jemi të gatshëm të punojmë shpejt për të përfunduar luftën, dhe hapat e parë mund të jenë lirimi i të burgosurve dhe një armëpushim në ajër – ndalimi i raketave, dronëve me rreze të gjatë veprimi, bombave ndaj energjisë dhe infrastrukturës tjetër civile – dhe menjëherë një armëpushim në det, nëse Rusia bën të njëjtën gjë. Më pas duam të kalojmë shpejt përmes të gjitha fazave të tjera dhe të bashkëpunojmë me SHBA-në për të arritur një marrëveshje të fortë përfundimtare”.

Ai gjithashtu vlerësoi ndihmën që Ukraina ka marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “vërtet e vlerësojmë sa ka bërë Amerika për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Dhe e mbajmë mend momentin kur situata ndryshoi, kur presidenti Trump i dha Ukrainës Javelinat. Jemi falënderues për këtë”, shtoi Zelensky.

Presidenti ukrainas gjithashtu komentoi takimin e fundit në Uashington, i cili, sipas tij, nuk shkoi siç duhej. “Takimi ynë në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë të premten, nuk shkoi siç duhej. Na vjen keq që ndodhi kështu. Është koha për të rregulluar gjërat. Do të dëshironim që bashkëpunimi dhe komunikimi i ardhshëm të jetë konstruktiv”