
Starmeri shpall koalicionin që do të garantojë paqen në Ukrainë
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka shpallur një plan me katër pika për të bashkëpunuar me Ukrainën në përfundimin e luftës dhe mbrojtjen e saj nga Rusia.
Ai deklaroi të dielën se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe vende të tjera do të intensifikojnë përpjekjet e tyre në një “koalicion të vullnetarëve” dhe do të kërkojnë përfshirjen e SHBA-së në mbështetjen për Ukrainën. Kjo deklaratë erdhi pas një samiti tre ditë më parë me 18 liderë, kryesisht nga Evropa, duke përfshirë edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Sot jemi në një udhëkryq historik”, tha Starmer pas samitit, ndërsa Zelensky deklaroi se Kievi ndjeu “mbështetje të fortë” dhe se ky takim tregoi “unitetin evropian në një nivel jashtëzakonisht të lartë, që nuk ishte parë prej kohësh”.
Ky zhvillim ndodhi dy ditë pas një përplasjeje të ashpër mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne të gjithë po punojmë së bashku në Evropë për të gjetur një bazë bashkëpunimi me Amerikën për një paqe të vërtetë dhe siguri të garantuar”, tha Zelensky pas samitit.
Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha për gazetën Le Figaro se Parisi dhe Londra dëshironin të propozonin një armëpushim njëmujor mes Rusisë dhe Ukrainës, “në ajër, në det dhe për infrastrukturën energjetike”.
Plani katërpikësh i Starmerit:
Gjatë një konference për shtyp pas takimit, Starmer njoftoi se liderët kishin rënë dakord për katër pika kryesore:
• Vazhdimi i ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe shtimi i presionit ekonomik ndaj Rusisë.
• Sigurimi që çdo marrëveshje paqeje të garantonte sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës, si dhe përfshirjen e saj në bisedimet e paqes.
• Në rast të një marrëveshjeje paqeje, forcimi i mbrojtjes së Ukrainës për të parandaluar çdo pushtim të ardhshëm.
• Formimi i një “koalicioni të vullnetarëve” për të mbrojtur një marrëveshje paqeje dhe për të garantuar sigurinë në të ardhmen.
Starmer gjithashtu shpalli një financim shtesë prej 1.6 miliardë paundësh (2 miliardë dollarë) për blerjen e mbi 5,000 raketave mbrojtëse ajrore. Kjo vjen përveç një kredie prej 2.2 miliardë paundësh për ndihmë të mëtejshme ushtarake për Ukrainën, e mbështetur nga fitimet e aseteve të ngrira ruse.
“Duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës. Nuk mund të pranojmë një marrëveshje të dobët që Rusia mund ta shkelë me lehtësi. Çdo marrëveshje duhet të mbështetet me forcë”, tha Starmer.
Kryeministri nuk e bëri të qartë se cilat vende kishin pranuar të bashkoheshin me këtë “koalicion të vullnetarëve”, por theksoi se ata që kishin dhënë angazhimin do të intensifikonin planet e tyre me urgjencë të madhe.
Mbretëria e Bashkuar, sipas tij, do ta mbështeste këtë përkushtim me “trupa në terren dhe avionë në ajër”.
“Evropa duhet të mbajë barrën kryesore”,tha ai, duke shtuar se marrëveshja do të kishte nevojë për mbështetjen e SHBA-së dhe duhej të përfshinte Rusinë, por pa i lejuar Moskës të diktonte kushtet.
“Ta bëj të qartë: ne biem dakord me Trump për nevojën urgjente të një paqeje të qëndrueshme. Tani duhet ta realizojmë së bashku”, tha Starmer.
Kur u pyet nëse SHBA-ja nën Trump ishte një aleat i pabesueshëm, ai u përgjigj: “Askush nuk dëshironte të shihte atë që ndodhi të premten e kaluar, por nuk pranoj që SHBA-ja është një aleat i pabesueshëm”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.