
Jeffries: Trumpi po vazhdon ta turpërojë Amerikën, ne duhet të qëndrojmë pranë Ukrainës
Udhëheqësi i ligjvënësve demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries ka reaguar pas takimit mes Trump-Zelensky, ku pati përplasje e tensione.
Jeffries përmes një deklarate për media tha se Trump me administratën e tij po vazhdojnë ta turpërojnë Amerikën në skenën botërore.
Sipas tij, takimi i sotëm Trump-Zelensky vetëm do ta inkurajojë edhe më tëj Vladimir Putinin, të cilin edhe e quajti diktator brutal.
“Presidenti Trump dhe administrata e tij vazhdojnë ta turpërojnë Amerikën në skenën botërore. Takimi i sotëm në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Ukrainës ishte i tmerrshëm dhe vetëm sa do ta inkurajojë më tej Vladimir Putinin, një diktator brutal. Shtetet e Bashkuara nuk duhet të shpërblejnë agresionin rus dhe të vazhdojnë ta qetësojnë Putinin”, tha ai, shkruan The Reuters, transmeton Gazeta Express.
Tutje, Jeffries tha se ShBA’të duhet të qëndrojnë pranë Ukrainës deri në fitoren përfundimtare.
“Për tre vjet, Presidenti Zelensky dhe populli ukrainas kanë qëndruar në anën e demokracisë, lirisë dhe së vërtetës. Suksesi i tyre është në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ne duhet të qëndrojmë pranë Ukrainës deri në fitoren përfundimtare.”