Takimi Trump-Zelensky, Meloni propozon mbajtjen e një samiti mes SHBA-së e shteteve evropiane

Takimi Trump-Zelensky, Meloni propozon mbajtjen e një samiti mes SHBA-së e shteteve evropiane

Bota February 28, 2025 - 23:58

Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë, ka reaguar pas takimit të tensionuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, takim i cili ngjalli reagime të shumta, shkruan Gazeta Express.

Kryeministrja italiane ka thënë se një ndarje e perëndimit nuk do t’i shërbente askujt, dhe se diçka e tillë i bën të gjithë të dobët.

Meloni ka theksuar se në këto momente është duhet të zhvillohet një samit i menjëhershëm midis Shteteve të Bashkuara, shteteve evropiane dhe aleatëve.

Ajo ka thënë se në këtë samit duhet të diskutohet për mënyrën se si shtetet aleate duhet të përballën me sfidat e mëdha duke filluar nga Ukraina.

Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se brenda orëve të ardhshme Italia do ta dorëzojë tek partnerët si propozim zhvillimin e një samiti të tillë.

“Çdo ndarje e Perëndimit na bën të gjithë më të dobët dhe i jep mundësi atyre që dëshirojnë të shohin rënien e civilizimit tonë. Jo për fuqinë apo ndikimin e tij, por për parimet që e themeluan atë, para së gjithash liria. Një ndarje nuk do t’i shërbejë askujt. Një samit i menjëhershëm midis Shteteve të Bashkuara, shteteve evropiane dhe aleatëve është i nevojshëm për të biseduar hapur mbi mënyrën se si do të përballemi me sfidat e mëdha të sotme, duke filluar me Ukrainën, që e kemi mbrojtur së bashku këto vite, dhe ato që do të na kërkohen në të ardhmen. Kjo është propozimi që Italia ka ndërmend të bëjë ndaj partnerëve të saj në orët e ardhshme”, ka shkruar ajo.