Scholzi pranon humbjen
Foto: Laura Hasani /Arkiv

Scholzi pranon humbjen

Bota February 23, 2025 - 21:06

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka pranuar humbjen e partisë së tij, Socialdemokratëve (SPD), në zgjedhjet e së dielës, duke i quajtur rezultatet “të hidhura” dhe një “dështim”.

Sipas sondazheve fillestare, SPD ka dalë e treta me 16-16.5% të votave. Duke folur me mbështetësit në Berlin, Scholz tha se partia duhet ta pranojë humbjen, ndërsa pranoi përgjegjësinë për rezultatin e dobët.

Zgjedhjet janë fituar nga blloku konservator CDU/CSU, i udhëhequr nga Friedrich Merz, me 28.5-29% të votave. Ndërkohë, partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), është renditur e dyta me 19.5-20% të votave, duke dyfishuar mbështetjen krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

Scholz ka uruar Merz për fitoren, ndërsa rezultati i AfD ka shkaktuar shqetësime në skenën politike gjermane.