
Sondazhet: Konservatorët e Merzit fitojnë zgjedhjet në Gjermani, AfD-ja rritet bindshëm
Aleanca konservatore e Gjermanisë CDU/CSU, e udhëhequr nga Friedrich Merz, i ka fituar zgjedhjet e së dielës për Qeverinë e re federale, me 28.5 – 29 për qind të votave, sipas sondazheve të para televizive.
Partia e të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) renditet e dyta me 19.5 – 20 për qind të votave, që do të thotë se e ka dyfishuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, bazuar në shifrat e publikuara nga transmetuesit publikë, ARD dhe ZDF.
Sipas tyre, partia e kancelarit Olaf Scholz renditet e treta.
Dalja në zgjedhje ka qenë 83 për qind, në krahasim me 76.6 për qind më 2021.
Më shumë se 59 milionë njerëz kanë pasur të drejtë të votojnë në shtetin me 84 milionë banorë, për të zgjedhur anëtarët e Bundestagut – dhomës së ulët të parlamentit – me 630 ulëse.