
Rusia nisi sulmin më të madh me dronë prej nisjes së luftës, thotë Kievi
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë të dielën se Rusia ka nisur më shumë se 200 dronë përgjatë natës në Ukrainë – duke shënuar sulmin më të madh prej nisjes së lufës – teksa e ka dënuar atë që e ka quajtur “terror ajror” rus, dhe ka bërë thirrje për unitet mes aleatëve të Ukrainës.
“Çdo ditë njerëzit tanë qëndrojnë kundër këtij terrori ajror”, ka shkruar ai në X – dikur Twitter.
“Në prag të trevjetorit të nisjes së luftës së plotë, Rusia ka lëshuar 267 dronë sulmues kundër Ukrainës – sulmi më i madh prej kur dronët iranianë kanë nisur të godasin qytete dhe fshatra ukrainase”, ka thënë Zelensky.
Forca ajrore ukrainase ka thënë përmes një deklarate se 138 dronë janë rrëzuar dhe 119 janë zhdukur prej radarëve, duke shtuar se Rusia ka nisur edhe tri raketa balistike. Për dëme është raportuar në pesë rajone të Ukrainës.
Në muajt e fundit, Moska ka kryer gati çdo natë sulme me dronë në Ukrainë, me qëllim të prishjes së kapaciteteve të Ukrainës për mbrojtje ajrore.
Zelensky ka thënë se në total, rreth 1.150 dronë, mbi 1.400 bomba dhe rreth 35 raketa të llojeve të ndryshme janë nisur nga Rusia drejt Ukrainës në javën e kaluar.
Presidenti ukrainas i ka falënderuar ata që janë në krye të mbrojtjes ajrore, dhe u ka bërë thirje aleatëve të huaj që të jenë të bashkuar për të arritur “paqe të qëndrueshme”.
“Kjo mund të arrihet përmes unitetit të të gjithë partnerëve – neve na duhet forca e gjithë Evropës, forca e Amerikës, forca e secilit që synon paqe të qëndrueshme”.
Kievi dhe aleatët evropianë janë tronditur nga sulmet e reja verbale të presidentit amerikan, Donald Trump ndaj Zelenskyt, në ditët e fundit, ashtu sikurse nga takimi mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë në Riad, në të cilin Ukraina nuk ka qenë e ftuar. /rel