Plagoset një paqeruajtës i lartë i OKB-së në sulmin e autokolonës në Liban

Plagoset një paqeruajtës i lartë i OKB-së në sulmin e autokolonës në Liban

Bota February 15, 2025 - 17:39

Forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara në Liban thotë se zëvendës komandanti i saj në largim është plagosur pasi një nga autokolonat e saj është “sulmuar dhunshëm”.

Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (Unifil) tha në një deklaratë se autokolona po çonte paqeruajtësit në aeroportin e Bejrutit kur u shënjestrua dhe një prej automjeteve të saj iu dogj.

Protestuesit kanë bllokuar rrugën për në aeroport pas një vendimi të qeverisë libaneze për të ndaluar uljen e dy avionëve iranianë.

Presidenti i Libanit Joseph Aoun dhe ushtria e vendit dënuan sulmin ndaj Unifil dhe thanë se do të punonin për të arrestuar personat e përfshirë.

Disa video të shpërndara në internet tregojnë një makinë të bardhë të OKB-së duke zbritur, ndërsa një grup të rinjsh, duke mbajtur flamuj të verdhë, ndjekin dhe rrahin ata që duket se janë paqeruajtës ndërsa përpiqen të ikin, raporton BBC.

Pamjet e veçanta tregojnë një grup burrash që bërtasin ndërsa shkelmojnë, godasin dhe ngjiten mbi një kolonë me tre automjete të OKB-së përgjatë një rruge të errët.

Zëvendëskomandanti i plagosur i Unifil, po kthehej në shtëpi pas përfundimit të misionit të tij, sipas një deklarate nga Kombet e Bashkuara.

“Ne jemi të tronditur nga ky sulm i egër ndaj paqeruajtësve që kanë shërbyer për të rivendosur sigurinë dhe stabilitetin në Libanin jugor gjatë një kohe të vështirë,” shtoi ai.

“Sulmet ndaj paqeruajtësve janë shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe mund të përbëjnë krime lufte. Ne kërkojmë një hetim të plotë dhe të menjëhershëm nga autoritetet libaneze dhe që të gjithë autorët të sillen para drejtësisë.”

Aoun tha se sulmi ishte “i papranueshëm” dhe “nuk mund të lejohet të përsëritet”.

Në një postim në rrjetet sociale nga Presidenca, ai shtoi: “Forcat e sigurisë nuk do të jenë të buta me asnjë parti që përpiqet të destabilizojë dhe minojë paqen civile në vend”.

Mbështetësit e grupit të armatosur libanez Hezbollah janë mbledhur jashtë aeroportit të Bejrutit që nga e enjtja për një përplasje mes Libanit dhe Iranit rreth ndalimit që të aterojnë dy avionë iranianë në kryeqytetin libanez.

Nga ana tjetër kjo ka lënë dhjetëra shtetas libanezë të bllokuar në Iran.

Masa u vendos pasi Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) pretenduan se Forcat Quds të Iranit kishin “shfrytëzuar” fluturimet ndërkombëtare për të “kontrabanduar” fonde për të armatosur Hezbollahun.

Zëdhënësi arab i IDF-së Avichay Adraee tha se ishte në kontakt me komitetin që monitoronte armëpushimin Izrael-Hezbollah, por pretendoi: “Pavarësisht përpjekjeve të bëra, ne vlerësojmë se disa nga këto përpjekje për kontrabandë parash kanë pasur sukses.”

Lëvizja Amal, një grup aleat i Hezbollahut, tha se “sulmi ndaj Unifil është një sulm në Libanin jugor” dhe e përshkroi atë si “një goditje me thikë në paqen civile”.

Ministri i Brendshëm libanez Ahmed Al-Hajjar i tha medias shtetërore se do të thërras një takim sigurie të shtunën në dritën e sulmit, duke e quajtur atë një “krim kundër forcave paqeruajtëse”.

Unifil u krijua për të monitoruar një zonë tampon të krijuar pranë kufirit me Izraelin pas përfundimit të luftës së Libanit të vitit 2006 dhe ka poste në të gjithë Libanin jugor.