Trumpi thotë se ka rënë dakord me Putinin të “fillojnë menjëherë negociatat” për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Trumpi thotë se ka rënë dakord me Putinin të “fillojnë menjëherë negociatat” për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë

Bota February 12, 2025 - 19:11

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka zhvilluar një telefonatë “të gjatë dhe shumë produktive” me homologun e tij rus, Vladimir Putin, dhe se ata kanë rënë dakord që ekipet e tyre të “fillojnë menjëherë negociatat” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Diskutuam për Ukrainën, Lindjen e Mesme, energjinë, inteligjencën artificiale, fuqinë e dollarit dhe tema të ndryshme të tjera”, tha Trump në një postim në rrjetin e tij social, Truth Social.

Trump shtoi se ai dhe Putini “duan të ndalojnë miliona vdekje që po ndodhin në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës”, ku vlerësimet për viktimat ushtarake nga të dyja palët, duke përfshirë të vrarët dhe të plagosurit, variojnë midis 1 dhe 2 milionë njerëz.

“Ne ramë dakord të punojmë së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë edhe vizitat në vendet e njëri-tjetrit. Gjithashtu, ramë dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë menjëherë negociatat”, tha ai, duke shtuar se ishte gati të telefononte presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn, “për ta informuar atë mbi bisedën”.

Kremlini tha se Rusia është i gatshëm të presë zyrtarë amerikanë për bisedime mbi Ukrainën.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Trump “shprehu mbështetje për një ndalim të menjëhershëm të armiqësive dhe për zgjidhjen e çështjes përmes mjeteve paqësore”.

“Presidenti Putin, nga ana e tij, përmendi nevojën për të eliminuar shkaqet rrënjësore të konfliktit dhe u pajtua me Trumpin se një zgjidhje afatgjatë mund të arrihet përmes negociatave paqësore”, tha Peskov.

Peskov shtoi se Putini e ftoi Trumpin ta vizitojë Moskën dhe se Rusia është e gatshme të presë zyrtarë amerikanë për bisedime.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga zyra e Zelenskyt.

Telefonata ishte kontakti i parë i drejtpërdrejtë i konfirmuar midis dy presidentëve që kur Trump, i cili është zotuar të ndërmjetësojë një fund të shpejtë të luftës, mori detyrën më 20 janar.

Telefonata u zhvillua përderisa fillimi i luftës në Ukrainë i afrohet trevjetorit të tij dhe përderisa diplomacia intensifikohet përpara Konferencës së Sigurisë në Mynih, që do të mbahet më 14-16 shkurt, ku pritet të marrin pjesë Zelensky dhe zyrtarë të lartë amerikanë.

Në Kiev, Zelensky u takua me sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent, për të diskutuar një marrëveshje të mundshme mbi mineralet kritike të Ukrainës dhe tha se shpreson që të dy vendet të arrijnë një marrëveshje mbi këtë çështje në konferencën në Mynih.

Zelensky foli në një konferencë të përbashkët për shtyp me Bessent, i cili i paraqiti një draft fillestar marrëveshjeje gjatë takimit të tyre dhe tha se një marrëveshje për mineralet mund t’i japë Ukrainës një “mburojë sigurie” sapo të përfundojë lufta me Rusinë.

Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara duan qasje në mineralet e rralla të Ukrainës. Zelensky ka theksuar se garancitë e forta të sigurisë nga Perëndimi për Ukrainën, me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara, janë thelbësore për çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Bessent tha se vizita e tij tregoi se administrata Trump është e vendosur për t’i dhënë fund luftës dhe se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Ukrainës kundër agresionit rus. /Rel