
Palestinezët s’do të kenë të drejtë të kthehen në Gazë, deklaron Trumpi
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se palestinezët nuk do të kenë të drejtë të kthehen në Gazë sipas planit të tij që SHBA-ja të marrë nën kontroll territorin.
“Jo, nuk do ta kenë të drejtën, sepse do të kenë strehim shumë më të mirë”, tha Trumpi për Fox News.
“Me fjalë të tjera, unë po flas për ndërtimin e një vendi të përhershëm për ta”, shtoi presidenti amerikan.
Më herët, ai tha se është “i përkushtuar për të blerë dhe zotëruar Gazën”, por mund të lejojë që pjesë të territorit të rindërtohen nga shtete të tjera në Lindjen e Mesme, shkruajnë mediat e huaja.
“Unë jam i përkushtuar për të blerë dhe zotëruar Gazën. Për sa i përket rindërtimit të saj, ne mund t’ua japim atë shteteve të tjera në Lindjen e Mesme për të ndërtuar pjesë të saj”, tha republikani, transmeton telegraffi.
“Por ne jemi të përkushtuar ta zotërojmë atë, ta marrim dhe të sigurohemi që Hamasi të mos kthehet më”, vazhdoi ai.