![Kryeministri Starmer shkarkon ministrin e Shëndetësisë pas komenteve në WhatsApp](/uploads/zeri.info/images/2025/February/09/auto_Capture1739141238.png)
Kryeministri Starmer shkarkon ministrin e Shëndetësisë pas komenteve në WhatsApp
Kryeministri britanik, Keir Starmer ka shkarkuar sot nga detyra ministrin e Shëndetësisë dhe anëtarin e Partisë Laburiste, Andrew Gwynne pas komenteve të bëra në një grup WhatsApp-i.
Andrew Gwynne, deputeti i Gorton&Denton – është shkarkuar nga posti i ministrit të Shëndetësisë dhe është pezulluar nga Partia e Punës.
Ai postoi komente seksiste për Angela Rayner, komente raciste për deputeten laburiste Diane Abbott dhe bëri shaka për një grua të moshuar që po vdiste – gjatë një bisede në një grup WhatsApp-i – me figura të laburistëve me qendër në Mançester, sipas një raporti të “Mail”.
“Më vjen shumë keq për komentet e mia të keqvlerësuara dhe kërkoj falje për çdo ofendim që kam shkaktuar. Unë i kam shërbyer Partisë Laburiste gjatë gjithë jetës sime dhe ishte një nder i madh të emërohesha ministër nga Keir Starmer”, postoi Gwynne në X.
“Unë i kuptoj plotësisht vendimet që kryeministri dhe partia kanë marrë dhe, megjithëse jam shumë i trishtuar – do t’i mbështes ato në çdo mënyrë që mundem”, shtoi ai.
“Gwynne postoi mesazhe në një grup WhatsApp-i të quajtur “Trigger Me Timbers”, të cilat i ndante me më shumë se dhjetëra këshilltarë laburistë, zyrtarë partie dhe të paktën një deputet tjetër”, raportoi “Mail”
“Kryeministri është i vendosur të ruajë standarde të larta sjelljeje në poste publike dhe të udhëheqë një qeveri në shërbim të njerëzve që punojnë”, tha një zëdhënës i qeverisë britanike.
“Ai nuk do të hezitojë të marrë masa ndaj çdo ministri që nuk arrin të përmbushë këto standarde”, shtoi zëdhënësi. /abcnews