Trumpi thotë se bisedoi me Putinin për Ukrainën
Foto: AP

Trumpi thotë se bisedoi me Putinin për Ukrainën

Bota February 09, 2025 - 19:44

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, për, siç raportohet, mënyrat për t’i dhënë fund pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Në një intervistë të publikuar më 8 shkurt nga gazeta The New York Post, Trump nuk tregoi se kur u zhvillua biseda, e as nuk dha detaje për përmbajtjen e saj.

The Post tha se intervista u realizua më 7 shkurt derisa Trump po udhëtonte me avionin presidencial, Air Force One.

“Ai dëshiron të mos shohë më njerëz duke vdekur”, citohet të ketë thënë Trump.

“Çdo ditë njerëzit po vdesin. Kjo luftë është aq e keqe në Ukrainë. Unë dua t’i jap fund kësaj gjëje të mallkuar”, tha ai.

Kur u pyet se sa herë kishin folur dy udhëheqësit, ai u përgjigj: “Më mirë të mos e them”.

“Unë kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë me Putinin”, tha ai.

Radio Evropa e Lirë dërgoi një email në Shtëpinë e Bardhë, duke kërkuar konfirmimin e raportit, por nuk mori përgjigje të menjëhershme.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se është e mundur që dy liderët të kenë folur.

“Ndërsa administrata në Uashington është duke kryer punët e saj, janë duke u shfaqur edhe shumë lloje të ndryshme komunikimesh dhe këto komunikime bëhen përmes kanaleve të ndryshme”, u tha Peskov gazetarëve më 9 shkurt.

“Sigurisht, në sfondin e këtyre komunikimeve të shumta, unë, personalisht, mund të mos di diçka ose të mos jem në dijeni për diçka. Prandaj, në këtë rast nuk mund ta konfirmoj e as ta mohoj”, shtoi Peskov.

Edhe përpara se ta merrte detyrën më 20 janar, Trump u zotua se do t’i jepte fund konfliktit në Ukrainë, ku, sipas vlerësimeve të Perëndimit, janë vrarë ose plagosur më shumë se 1 milion ushtarë nga të dyja palët.

Ndihmësit kryesorë të Trumpit për sigurinë kombëtare kanë thënë publikisht se zyrtarët amerikanë do të përpiqen ta nxisin Moskën dhe Kievin që të bisedojnë për armëpushim.

I dërguari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Rusinë dhe Ukrainën, Keith Kellogg, pritet të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, e cila hap punimet më 14 shkurt.

Më 7 shkurt, Trump tha se ka të ngjarë të takohet me Zelenskyn javën e ardhshme. Ai nuk dha detaje të tjera, por tha se takimi mund të mbahet në Uashington, pasi “unë nuk do të shkoj në Kiev”.

Trump dhe anëtarët e administratës së tij kanë dhënë pak detaje në lidhje me ndonjë propozim specifik për përfundimin e luftës, por Kellogg tha së voni se të dyja palët do të duhet “të japin pak”, që do të thotë të bëjnë kompromise.

Ndërkohë, në Kiev, zyrtarët ukrainas janë duke vëzhguar me kujdes rritjen e presionit për bisedime me Moskën, që, me shumë gjasa, do të mbikëqyreshin nga SHBA-ja.

Deri vonë, Putin ka thënë se e konsideron Zelenskyn si president të paligjshëm dhe se nuk do të negociojë me të, por, ndërkohë, e ka zbutur atë qëndrim.

Raporti për intervistën vjen përpara takimit që pritet të zhvillojë zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, me Zelenskyn, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Zelensky ka shprehur besimin se Trump mund të bëjë presion mbi Putinin për t’i dhënë fund luftës, e cila ka nisur më 24 shkurt 2022.

Në një pjesë të intervistës me New York Post, Trump, po ashtu, tha se ai “do të donte të bëhej një marrëveshje me Iranin” për programin e tij bërthamor, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të tensioneve me Teheranin.

Trump refuzoi të jepte ndonjë detaj se si do të dukej marrëveshja me Iranin.

Më 7 shkurt, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, e hodhi poshtë mundësinë e bisedimeve për çështje bërthamore me Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur se negociatat nuk do t’i trajtonin problemet e Iranit.

Trump nënshkroi më 4 shkurt një urdhër për të rikthyer politikën e tij të “presionit maksimal ekonomik” ndaj Iranit, që synon t’i dëmtojë eksportet e tij të naftës dhe ta ngadalësojë programin e tij bërthamor, për të cilin Teherani pretendon se është për qëllime civile. /REL