Pse shkaktoi reagime të forta propozimi i Trumpit për Gazën

Pse shkaktoi reagime të forta propozimi i Trumpit për Gazën

Bota February 05, 2025 - 18:30

Propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhvendosur palestinezët nga Gaza dhe për ta vendosur territorin nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara ka nxitur reagime të ashpra në mbarë botën, përkrah rrezikut të përmbysjes së politikës afatgjatë amerikane ndaj Izraelit dhe palestinezëve.

“SHBA-ja do të marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe do të bëjmë diçka me të. Do ta zotërojmë atë”, tha Trump gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, më 4 shkurt.

Detajet se si do të zbatohej ky propozim radikal, i cili u përmend për herë të parë muajin e kaluar, mbeten të paqarta. Ende nuk dihet se nën çfarë autoriteti mund ta merrte SHBA-ja nën kontroll Gazën ose si do të zhvendoseshin 2.3 milionë banorët e saj.

Marrëveshja e armëpushimit, në peshore

Ky propozim ka shkaktuar shqetësime se mund të rrezikohet marrëveshja e brishtë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit - grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, që ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007.

Armëpushimi me disa faza, i cili hyri në fuqi muajin e kaluar, ndaloi përkohësisht më shumë se një vit luftime në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.

“Frika është se [propozimi i Trump] mund të dëmtojë mundësitë për lirimin e pengjeve të mbetura”, tha Azriel Bermant, nga Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Pragë.Faza e dytë e armëpushimit parasheh një fund të përhershëm të luftës, por negociatat për ta finalizuar dhe zbatuar atë nuk kanë filluar ende.

“Ekziston rreziku që kjo të dëmtojë përpjekjet” për të rënë dakord dhe për ta zbatuar fazën e dytë të armëpushimit, theksoi Bermant.

Aleatët dhe kundërshtarët, të revoltuar

Vendet kryesore arabe, përfshirë ato që kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, e kanë refuzuar në mënyrë të përbashkët kërkesën e fundit të Trumpit që Egjipti dhe Jordania t'i pranojnë banorët e Gazës.

Tani, Trumpi ka shkuar edhe më tej duke sugjeruar se jo vetëm që dëshiron zhvendosjen e banorëve të Gazës, por synon që Shtetet e Bashkuara ta marrin kontrollin dhe ta shndërrojnë atë në një “Rivierë të Lindjes së Mesme”.

Lideri palestinez, Mahmud Abbas, e ka refuzuar propozimin e Trumpit, duke deklaruar se “të drejtat legjitime të palestinezëve nuk janë të negociueshme”.

Aleatët dhe kundërshtarët e SHBA-së e kanë kritikuar gjithashtu planin, duke përsëritur thirrjet për krijimin e një shteti të pavarur palestinez përkrah Izraelit.

Ministria e Jashtme e Francës deklaroi se zhvendosja e palestinezëve do të përbënte një “shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar” dhe këmbënguli se Gaza nuk mund të kontrollohet nga “një shtet i tretë”.Sauditët, të cilët mbajnë marrëdhënie të mira me presidentin Trump, paralajmëruan se ata “nuk do të vendosin marrëdhënie diplomatike me Izraelin pa një shtet sovran palestinez me Jerusalemin lindor si kryeqytet”.

Trump synon që fuqia rajonale, Arabia Saudite, t’u bashkohet Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin nën Marrëveshjet e Abrahamit, por është e vështirë të shihet se si mund të ecë përpara ky proces duke marrë parasysh propozimin e tij të tanishëm për Gazën.

Kina dhe Rusia kanë shprehur gjithashtu kundërshtimin e tyre ndaj zhvendosjes së detyrueshme të palestinezëve.

Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 2.4 milionë refugjatë të regjistruar palestinezë jetojnë aktualisht në Jordani. Shumë prej tyre janë zhvendosur që disa gjenerata, por kanë luftuar për të drejtën e kthimit në bazë të ligjit ndërkombëtar.

Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e refugjatëve palestinezë në Egjipt, por raportet thonë se të paktën 115.000 banorë të Gazës kanë kaluar kufirin me Egjiptin që nga shpërthimi i luftës në tetor të vitit 2023.

Pikëpamja nga Izraeli

Plani i Trumpit do të mirëpritet padyshim nga shumica në kabinetin e Netanyahut, si dhe nga shumë qytetarë izraelitë.

Disa sugjerojnë se një gjë e tillë është thelbësore për sigurinë e Izraelit, ndërsa të tjerë argumentojnë se mund të jetë edhe zgjidhja më humanitare për një popullatë që nuk ka shtëpi ku të kthehet pas shkatërrimit të gjerë të Gazës.Por, për shumë izraelitë të moderuar, të cilët mbështesin një zgjidhje me dy shtete, shqetësimi është se kjo mund të sjellë pasoja të paparashikueshme.

Lideri i opozitës dhe ish-kryeministri, Yair Lapid, e krahasoi propozimin me “hedhjen e një bombe” me pasoja të paqarta.

Sfida për politikën amerikane

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur në mënyrë aktive një zgjidhje me dy shtete që nga Marrëveshjet e Oslos në vitet '90, të cilat parashihnin si Gazën, ashtu edhe Bregun Perëndimor si pjesë të një shteti palestinez.

Që nga ajo kohë, të gjitha administratat amerikane kanë mbështetur një zgjidhje me dy shtete, por Trumpi duket se po e ndryshon këtë politikë të kamotshme.“Nuk ka asnjë fuqi në botë që mund të përcaktojë se ku do të jetojnë palestinezët. Ky është vendi ynë”, tha Samir al-Barawi, një refugjat palestinez në Bosnje, për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

“Trump nuk mund të vendosë se ku do të jetojmë. Ne kemi lindur në Gazë dhe vetëm vdekja mund t’i nxjerrë njerëzit nga Gaza”, shtoi ai.

Al-Barawi tha se ai, si edhe palestinezët e tjerë, do të donte të kthehej një ditë në Gazë, “por jo si turist”.

Trumpi nuk e ka komentuar publikisht nëse mbështet aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli, por kur u pyet për këtë më 4 shkurt, ai u përgjigj se Izraeli është një “vend i vogël për nga territori”.

Bermant përsëriti se propozimi i Trump për Gazën ka gjasa të mos zbatohet dhe argumentoi se një “shqetësim më i madh” mbetet nëse presidenti amerikan do t’i lejojë qeverisë së Netanyahut të aneksojë Bregun Perëndimor.

“Kjo do të përbënte një ndryshim të madh në politikën e SHBA-së”, tha ai./REL