I dërguari amerikan vizitë në Izrael për të diskutuar armëpushimin me Hamasin
I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme Steve Witkoff mbërriti të mërkurën në Izrael për bisedime që do të përqëndrohen në zbatimin e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gaz, si dhe për negociatat për fazën e ardhshme të marrëveshjes.
Para vizitës, zoti Witkoff nënvizoi nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjes, e cila u dha fund luftime 15 mujore dhe çoi në lirimin, deri më tani, të shtatë pengjeve që mbaheshin nga Hamasi dhe të 300 të burgosurve palestinezë që mbaheshin nga Izraeli.
Në ditët e ardhshme priten lirime të tjera të pengjeve dhe të të burgosurve.
Vizita e zotit Witkoff ndodh para vizitës së planifikuar në Uashington të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Presidenti amerikan Donald Trump e ftoi Netanyahun për bisedime më 4 shkurt.
Faza e parë e armëpushimit parashikohet të zgjasë 42 ditë, një e katërta e së cilës tashmë ka kaluar. Ajo parasheh lirimin e 33 pengjeve nga Gaza si dhe vazhdimin e negociatave rreth detajeve të fazës së dytë të marrëveshjes, që përfshin lirimin e pengjeve të tjera dhe përfundimin e luftës me tërheqjen e forcave izraelite.
Këto negociata pritet të fillojnë javën e ardhshme. /abcnews