Mark Zuckerberg do t’ia paguajë 25 milionë dollarë Donald Trumpit

Mark Zuckerberg do t’ia paguajë 25 milionë dollarë Donald Trumpit

Bota January 30, 2025 - 13:58

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një marrëveshje ligjore me kompaninë Meta, pronaren e Facebook-ut dhe të Instagram-it, që do të rezultojë në një pagesë prej afërsisht 25 milionë dollarësh.

Trumpi e paditi Meta-n dhe shefin ekzekutiv të saj, Mark Zuckerberg, në vitin 2021, pas pezullimit të llogarive të tij për shkak të trazirave të 6 janarit në Kapitol.

Ndërkohë, pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Zuckerberg vizitoi resortin e tij në Florida, Mar-a-Lago, duke sinjalizuar një përmirësim të marrëdhënieve mes tyre. Në muajin pasues, Meta dhuroi 1 milion dollarë për fondin e inaugurimit të Trumpit, ndërsa Zuckerbergu ishte i pranishëm në inaugurimin e tij në Kapitol, ulur pranë miliarderëve të tjerë të teknologjisë.

Ndër vite, Trumpi e ka kritikuar ashpër Zuckerbergun dhe Facebook-un, duke i cilësuar si “anti-Trump”. Marrëdhënia e tyre u përkeqësua edhe më shumë pas pezullimit të llogarive të Trumpit, të cilin ai e quajti “armiku i popullit” në mars 2024.

Nga ana tjetër, Twitter, tani i quajtur X dhe në pronësi të aleatit të Trumpit, Elon Musk, riktheu llogarinë e tij në vitin 2022 pas një sondazhi online që votoi për rikthimin e tij.