Adoleshentja e lindur në SHBA vritet nga babai në Pakistan, shkaku i videove në TikTok
Një burrë që e kishte kthyer rishtazi familjen e tij nga Shtetet e Bashkuara në Pakistan është rrëfyer për vrasjen me armë të së bijës adoleshente, e motivuar nga pakënaqësia e tij për përmbajtjen e publikuar nga vajza në aplikacionin “TikTok”.
Vrasja ndodhi në një rrugë të qytetit Quetta të martën. I dyshuari, Anwar ul-Haq, fillimisht tha se persona të armatosur të paidentifikuar e qëlluan dhe e vranë të bijën e tij, para se të rrëfente për krimin që e kishte kryer vetë, tha zyrtari policor, Babar Baloch, raporton gazeta “The Guardian”.
“Hetimi ynë deri më tani ka zbuluar se familja kishte një ankesë për veshjen e saj, stilin e saj të jetesës dhe tubimin social” – tha një hetues tjetër policor, Zohaib Mohsin. “Ne e kemi telefonin e saj. Ai është i mbyllur. Po i hetojmë të gjitha aspektet, përfshirë vrasjen për nder”, shtoi ai.
Familja ishte kthyer rishtazi në provincën Baloçistan në Pakistanin me shumicë myslimane, vend me norma shoqërore konservatore, pasi kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara për rreth 25 vjet, tha zyrtari policor Baloch, transmeton nacionale.
I dyshuari ka shtetësi amerikane, tha oficeri, duke shtuar se Haqi i kishte thënë atij se e bija kishte filluar të krijonte përmbajtje “të ankueshëm” në rrjetin TikTok, kur ajo jetonte në SHBA.
Ai i tha policisë se vajza kishte vazhduar që të shpërndante video në platformën e njohur pasi ishte kthyer në Pakistan.