Disa persona besohet se janë vrarë gjatë rrëmujës në një ngjarje fetare në Indi
Foto:AP

Disa persona besohet se janë vrarë gjatë rrëmujës në një ngjarje fetare në Indi

Bota January 29, 2025 - 09:57

Disa persona besohet se janë vrarë gjatë tubimit më të madh fetar në botë të mbajtur në Indi më 29 janar, ndërkaq shumë të tjerë janë lënduar pasi turma theu kordonin e policisë dhe shtypi njerëzit e mbledhur.

Autoritetet nuk kanë dhënë shifra zyrtare për viktimat, por një punonjës shëndetësor ka thënë se janë të paktën 15 viktima.

Incidente vdekjeprurëse në turma të tilla ndodhin shpesh gjatë festivaleve fetare në Indi, përfshirë në Kumbh Mela, që mbledh dhjetëra miliona besimtarë çdo 12 vjet në qytetin verior të Prajagrajit.

Teksa pelegrinët nxituan që të merrnin pjesë në ritualin e larjes në ditën e shenjtë, njerëzit që po flinin apo ishin të ulur në tokë pranë lumenjve, thanë për agjencinë AFP, se u shkelën nga një numër i madh besimtarësh që ishin nisur drejt tyre në errësirë, para agimit.

“Isha i ulur pranë një barrikade dhe gjatë shtyrjeve, e gjitha turma ra mbi mua, duke më shtypur, teksa njerëzit tentonin të lëviznin përpara”, tha Renu Devi, 48 vjeç.

“Kur turma u rrit në numër, të moshuarit dhe gratë u shtypën dhe askush nuk iu doli në ndihmë”.

“Të paktën 15 persona” janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, tha për AFP-në një mjek në një spital ku po trajtohen të mbijetuarit, zyrtar që foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se kjo ishte një ngjarje “jashtëzakonisht e trishtueshme” dhe shprehu ngushëllime për familjarët e të vrarëve.

Festivali fetar, Kumbh Mela, zhvillohet për gjashtë javë dhe është ngjarja kryesore në kalendarin fetar hindu.

Të mërkurën shënohet një nga ditët më të shenjta të festivalit, kur njerëzit kryejnë një ritual të larjes në lumenjtë Gang dhe Jamuna, ritual që simbolizon larjen e mëkateve.

Zyrtarët u kanë bërë thirrje pelegrinëve që të mos mblidheshin në vendin ku ndodhi fatkeqësia dhe të kryenin ritualin e larjes në vende të tjera.

“Ne me përulësi u bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve të mos mblidhen në vendin kryesor të larjes”, tha një nga punëtorët e organizimit të festivalit, teksa iu drejtua turmës me megafon.

Qeveria shtetërore e Utar Pradeshit, përgjegjëse për organizimin e festivalit, tha se miliona besimtarë veçse kishin kryer ritualin e larjes mes mesnatës dhe orëve të para të mëngjesit.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë qeveritar u tha gazetarëve se punëtorët shëndetësorë po trajtojnë personat e plagosur rëndë gjatë shtypjes, duke shtuar se situata është “nën kontroll”.

Udhëheqësi opozitar në Indi, Rahul Gandhi, fajtor për fatkeqësinë bëri menaxhimin e dobët të turmës.

Fatkeqësi të tilla në Indi kishin ndodhur edhe në të kaluarën. Më shumë se 400 persona kishin humbur jetën pas shtypjes nga turma në një ditë të vetme të festivalit Kumbh Mela më 1954 – një nga tragjeditë më të mëdha të këtij lloji në botë.

Ndërkaq, më 2013, 36 persona ishin shtypur për vdekje në festivalin e mbajtur në Prajagraj. /REL