Vazhdon bllokada studentore në Serbi, studentët kaluan natën në rrugë

Vazhdon bllokada studentore në Serbi, studentët kaluan natën në rrugë

Bota January 28, 2025 - 08:02

Studentë dhe qytetarë, mijëra prej tyre kanë kaluar natën duke bllokuar Autokomandën, një nga qendrat më të mëdha të trafikut në Beograd.

Kjo bllokadë, që zgjati 24 orë, vazhdon edhe sot deri në orën 10:00 dhe studentët kanë bërë thirrje për një tubim paqësor për t’i kujtuar edhe një herë autoritetet për kërkesat që i kanë shtyrë ata të bllokojnë fakultetet në të gjithë Serbinë për dy muaj.

Studentë dhe qytetarë po planifikojnë të organizojnë edhe një fushatë pastrimi në Autokomanda pas bllokimit të rrugës.

Siç raporton N1, grupe të reja qytetarësh po mbërrijnë në vendin e ngjarjes për të mbështetur studentët në bllokadë.

Raportohet se protestuesit kanë kaluar natën në masë të madhe tek Autokomanda dhe gjithçka ka shkuar pa incidente.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq dhe kryetarja e parlamentit Ana Bërnabiq, i janë adresuar publikut në ditën kur studentët kanë organizuar bllokadë 24-orëshe në njërën prej pikave kryesore të trafikut në Beograd.

Bllokada 24-orëshe është organizuar tri ditë pasi mijëra njerëz i janë bashkuar thirrjes për grevë të përgjithshme.

Protesta e studentëve dhe akademikëve para Ministrisë së Arsimit në Beograd dhe një pankartë me mbishkrimin “Grevë e përgjithshme”, 19 janar 2025.

Studentët, që janë bllokuar punën e më shumë se 60 fakulteteve për më shumë se dy muaj, janë duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për 15 vdekjet e shkaktuara nga incidenti në Novi Sad.

Përfaqësuesit qeveritarë kanë thënë paraprakisht se të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar.

Akademikët, në anën tjetër, kanë thënë se kërkesat e tyre janë plotësuar pjesërisht dhe që pezullimi i punës do të vazhdojë deri në njoftimin e radhës.

Më shumë se 5.000 profesorë universitarë në Serbi kanë mbështetur bllokadën e studentëve.

Përmes një peticioni ata dënojnë tentimet e Qeverisë për t’i frikësuar studentët – duke i bërë publike të dhënat e tyre personale, apo edhe duke dërguar agjentë të agjencive qeveritare në shtëpitë e tyre apo të prindërve të tyre.

Zyra e Prokurorit të Lartë në Novi Sad ka paditur 13 njerëz lidhur me incidentin e nëntorit.

Në mesin e tyre janë edhe ish-ministri për Ndërtim, Transport dhe Infrastrukturë, Goran Vesiq, asistentja e tij Anita Dimoski, si dhe ish-drejtorja e kompanisë publike infrastrukturore, Jelena Tanaskoviq.

Dhjetë prej të paditurve janë në mbajtje, Vesiqi është në arrati, ndërsa Tanaskoviqi dhe Dimoski janë në arrest shtëpiak.