SHBA-ja pezullon tarifat ndaj Kolumbisë, pas marrëveshjes për dëbimet
Shtetet e Bashkuara dhe Kolumbia u tërhoqën nga nisja e një lufte tregtare të dielën, pasi Shtëpia e Bardhë tha se shteti i Amerikës Jugore u pajtua që të pranonte avionë ushtarakë që po bartnin imigrantët e dëbuar nga SHBA-ja.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi me vendosjen e tarifave dhe sanksioneve ndaj Kolumbisë, pasi paraprakisht ky shtet kishte refuzuar të pranonte avionët ushtarakë që po bartnin të dëbuarit, si pjesë e politikës së tij për të larguar nga shteti imigrantët e paligjshëm.
Por, përmes një deklarate në orët e vona të 26 janarit, Shtëpia e Bardhë tha se Kolumbia ishte pajtuar të pranonte imigrantët dhe Uashingtoni nuk do të vendoste ndëshkimet e paralajmëruara.
“Qeveria e Kolumbisë është pajtuar me të gjitha kushtet e presidentit Trump, përfshirë pranimin e pakufizuar të imigrantëve ilegalë nga Kolumbia që do të dëbohen nga SHBA-ja, avionët ushtarakë amerikanë, pa kufizime dhe vonesa”, u tha në njoftim.
Draft-urdhrat për vendosjen e tarifave dhe sanksioneve ndaj Kolumbisë “do të ruhen, nuk do të nënshkruhen, përveç nëse Kolumbia nuk e respekton këtë marrëveshje”, tha Shtëpia e Bardhë.
“Ngjarjet e sotme ia bëjnë të qartë botës se Amerika po respektohet sërish. Presidenti Trump.... pret që të gjitha shtetet e tjera të botës të bashkëpunojnë në pranimin e qytetarëve të tyre të dëbuar”, tha Shtëpia e Bardhë.
Ndërkaq, në një deklaratë të publikuar të dielën mbrëma, ministri i Jashtëm kolumbian, Gilberto Murillo, tha:
“Kemi tejkaluar mospajtimet me qeverinë amerikane. qeveria kolumbiane... e ka gati një avion presidencial për të lehtësuar kthimin e kolumbianëve që do të arrijnë në shtet mëngjesin e sotëm përmes fluturimeve për dëbimet”.
Në deklaratë nuk u specifikua nëse marrëveshja përfshin fluturimet ushtarake, por nuk kundërshtoi njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Murillo tha se ambasadori i Kolumbisë në SHBA në ditët në vijim do të shkojë në Uashington për të përcjellë marrëveshjen që çoi në këmbimin e notave diplomatike mes dy qeverive, u tha në deklaratën e Kolumbisë.
Draft-masat e Uashingtonit, që aktualisht nuk janë në fuqi, parashohin tarifa prej 25 për qind ndaj të gjitha mallrave kolumbiane që shkojnë në SHBA. Kjo tarifë brenda një javë do të rritej në 50 për qind. Masë tjetër është ndalesa e udhëtimeve dhe vizave për zyrtarët e qeverisë kolumbiane dhe sanksione në sistemin financiar dhe bankar.
Trumpi po ashtu ka kërcënuar se do të forcojë kontrollet kufitare ndaj shtetasve kolumbianë dhe mallrave. Para njoftimit për arritjen e marrëveshjes për fluturimet, Departamenti amerikan i Shtetit kishte thënë se kishte pezulluar lëshimin e vizave nga Ambasada amerikane në Bogota.
Kolumbia është partnerja e tretë më e madhe tregtare e SHBA-së në Amerikën Latine.
Më herët, presidenti kolumbian, Gustabo Petro, kishte dënuar dëbimet me avionët ushtarakë, por kishte shtuar se do të priste imigrantët nëse do të dëboheshin me avionë civilë, duke ofruar një avion presidencial për të lehtësuar këtë proces.
Trump e ka shpallur imigrimin ilegal emergjencë kombëtare dhe ka urdhëruar dëbimin e tyre që kur mori postin e presidentit më 20 janar.
Ai ka udhëzuar ushtrinë amerikane që të ndihmojë në sigurinë kufitare, ka lëshuar një ndalesë të gjerë ndaj azilkërkuesve dhe ka ndërmarrë hapa për kufizimin e shtetësisë për fëmijët e lindur në tokën amerikane.
Përdorimi i avionëve ushtarakë për dëbimin e imigrantëve nuk është i zakonshëm. Avionë të tillë kryen dy fluturime, me nga 80 imigrantë në secilin avionë, për në Guatemalë javën e kaluar.
Meksika po ashtu paraprakisht ka refuzuar që të lejojë uljen e një avioni ushtarak amerikan me imigrantë.
Trump po ashtu ka thënë se po e shqyrton mundësinë e vendosjes së tarifës prej 25 për qind ndaj importeve nga Kanadaja dhe Meksika nga 1 shkurti, për t’i detyruar këto shtete të ndërmarrin veprime të mëtejme ndaj imigrantëve të paligjshëm dhe fetanolit që hyn në SHBA.
Brazili po ashtu është ankuar për “trajtim të padinjitetshëm” të shtetasve të tij, pasi imigrantët u dëbuan me pranga në duar, përmes një fluturimi komercial. /Rel