Ceremonia e betimit të Trumpit do të mbahet brenda, për shkak të motit acar
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se inaugurimi i tij të hënën do të zhvillohet brenda ndërtesës së Kongresit amerikan në Uashington, për shkak të motit acar.
Kjo do të jetë hera e parë në 40 vjetët e fundit që një president amerikan e bën betimin brenda dhe jo jashtë ndërtesës.
“Një i ftohtë i Arktikut ka kapluar vendin. Nuk dua që njerëzit të dëmtohen, apo lëndohen në çfarëdo mënyre”, tha Trump të premten në rrjetin e tij social, Truth Social.
Hera e fundit kur inaugurimi i zhvillua brenda ndërtesës për shkak të ftohtit të madh, ishte betimi i ish-presidentit republikan, Ronald Reagan, për mandatin e dytë presidenciale më 1985.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka parashikuar se temperatura do të jetë rreth -6 gradë celsius gjatë mesditës së hënë kur do ta bëjë betimin Trumpi. Gjatë inaugurimit të dytë të Reaganit, temperatura kishte rënë -14 gradë celsius. /REL