Netanyahu: Ende nuk është arritur marrëveshja e armëpushimit me Hamasin
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu tha se marrëveshja e armëpushimit me Hamasin ende nuk është arritur dhe se detajet e fundit të kësaj marrëveshje ende janë duke u shqyrtuar.
Njoftimi nga zyra e tij vjen pasi një numër ndërmjetësish thanë se Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për një marrëveshje armëpushimi në Gazë dhe lirimin e dhjetëra pengjeve pas luftës 15 mujore.
Zyra e kryeministrit Netanyahu tha përmes një deklarate se ka ende detaje të pazgjidhura dhe shpresonte se “zgjidhja e tyre do të përfundonte sonte”.
Në Khan Younis, një qytet në Rripin e Gazës, palestinezët e pritën me gëzim lajmin për arritjen e armëpushimit.
Marrëveshja pritet të ndërpres përkohësisht luftimet dhe jep shpresë për përfundimin e njërit prej konflikteve më të përgjakshme mes Izraelit dhe Hamasit, që destabilizoi tërë Lindjen e Mesme dhe nxiti protesta nëpër gjithë botën.
Paraprakisht, zyrtarë pranë bisedimeve njoftuan më herët të mërkurën se Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për armëpushim në Gazë, pas konfliktit 15 muajsh me dhjetëra mijëra vikatima dhe që tronditi Lindjen e Mesme.
Qeveria e Izraelit do të votojë për marrëveshjen ditën e enjte, sipas një zyrtari qeveritar izraelit, shkruan zeriamerikes.
Marrëveshja, e cila ende nuk është shpallur zyrtarisht, parasheh një fazë fillestare të armëpushimit prej gjashtë javësh dhe përfshin një tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza dhe lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli, i tha një zyrtar agjencisë së lajmeve Reuters.
Marrëveshja vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërmjetësuar një marrëveshje nga Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Marrëveshja u arrit në prag të inaugurimit të Presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, që do të mbahen me 20 janar.
Hamasi i tha agjencisë Reuters se delegacioni i tij u ka dorëzuar ndërmjetësve miratimin e grupit militant për marrëveshjen e armëpushimit dhe për kthimin e pengjeve.
Marrëveshja parasheh futjen e 600 kamionëve me ndihma humanitare çdo ditë në Gazë , 50 prej të cilëve me karburant, ndërkohë që gjysma e tyre do të dërgohen në pjesën veriore të Gazës.
Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes pritet të fillojnë para ditës së 16 të fazës së parë dhe pritet të përfshijnë lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura, si dhe të ushtarëve izraelitë të marrë peng nga Hamasi. Negociatat do të trajtojnë edhe armëpushimin e përhershëm dhe tërheqjen e plotë të ushtarëve izraelitë.